Gjasat janë minimale që ne të besimit Islam të mos kemi parë së paku një insert nga ky film tradicional që shfaqet çdo festë, sipas adetit, në kanalin tonë.
Tash e 50 vite pas shfaqjes së parë, “The Message” mbetet filmi më i mirë, më i përshtatshëm, i realizuar për lindjen e fesë Islame, dhe për historinë e pejgamberit tonë.
Nëse shikoni historinë e realizimit, nga tentimi për të gjetur një konsensus sa i përket mënyrës së portretizimit të ngjarjeve, e te realizimi i tyre, kuptoni më mirë rëndësinë dhe përgjegjësinë që kanë pasur të përfshirët në realizimin e këtij projekti.
Është e veçantë mënyra e portretizimit të Muhamedit s.a.v.s., nga ana e regjisorit Moustapha Akkad, duke respektuar traditat dhe ligjet myslimane, dhe njëkohësisht duke mos lënë diçka të paqartë në këtë.
E pastaj kur kalojmë te historitë e disa individëve të përfshirë në këtë film, deri te shumë shikues që kanë atë ndjenjën e paqes pas përfundimit të filmit, e shohim sa mjeshtërisht është realizuar një projekt kaq i rëndësishëm.
Aktrimi është në nivel me emra doajenë të kinematografisë si Anthony Quinn e Irene Papas në rolin e Hamzasë dhe Hint Bint Utbas, por mbi të gjitha, që nga fëmijëria, roli i Johnny Sekkas si Bilalli, ka qenë i veçantë, dhe ndoshta ndër arsyet kryesore pse racizmin e shohim si diçka tabu, të palogjikshme.
Ndoshta edhe kjo është një mënyrë si filmi, e feja, ndikojnë për së miri në eliminimin e paragjykimeve racore te njerëzit.
Kushedi!
E kolona zanore i jep jetë e mrekulli filmit duke e bërë të mbetet ende më i miri për këtë temë. Nota personale: 5/5

