Nuk di a ka rënë ndonjë seri për nga cilësia prej sezonit të parë si “The Morning Show.”
Pos cilësisë, tash mbetet edhe mbrapa në kohë, në pranverën e vitit 2024 kur UBN, dy vite pas sezonit të tretë, përgatitet për transmetimin e Olimpiadës së Parisit.
Kjo më ka bërë të ndihesha sikur po shikoj diçka jashtë kohe, por që vazhdonte të transmetohej çdo javë.
Temat që preken në këtë sezon megjithatë provojnë të jenë aktuale, nisur nga AI.
Por, aq shumë zgjerohet nëpër tema, nga racizmi, te politika konservative, ajo globale, azili, problemet shoqërore, ndryshimet klimatike, aborti, e deri te pjesa që mund të jetë ndër momentet më të rënda në TV viteve të fundit.
Dhe sikur ky zgjerim nuk u mjafton, kemi edhe romancat e ndaluara, shantazhin, dhe lojërat e pushtetit.
Jeremy Irons e Marion Cotillard kanë qenë prurje të mira këtë sezon, dhe kanë kryer një punë goxha të madhe me karakteret e tyre që kanë ndihmuar e më mirë thënë kanë qenë në qendër të ngjarjeve, në mënyrën e tyre.
Momentin e saj, e ndoshta edhe më të mirin këtë sezon e ka pasur edhe Nicole Behane në rolin e Kristinës, derisa Jon Hamm si rol episodik ka bërë punë të duhur.
Sigurisht, katërshja kryesore gjithmonë ka qenë në nivel, ndonëse edhe Kori edhe Çarli këtë sezon kanë qenë larg stacionit televiziv, por kjo disi ka ndihmuar karakteret e Mias dhe Jankos të zënë vendin e tyre më lart në ngjarje.
Ky sezon është dukur i shkapërderdhur, shumë i gjerë, sikur të jenë përfshirë 2-3 sezone të kaluara. Të shohim a do të ngushtohet tema në sezonin e pestë, apo do të marrin malin. Nota personale për sezonin e katërt: 3/5

