Ujku do mjegull, thonë populli.
Pinguini do vërshim, do të mund ta adaptonim këtë thënie për t’ju përshtatur kësaj mini-serie, që fillon pak kohë pas fundit në filmin The Batman, të vitit 2022.
E, kur vdes lideri i nëntokës, të gjithë duan të marrin pushtetin, nga pasardhësit “legjitim” deri te “fikserat” e tij. I shikuar me përçmim nga tjerët, kryesisht për shkak të pamjes së jashtme, Osvalld Kobëllpot, kërkon të gjejë veten pas vdekjes së shefit të tij, Karmajn Fallkones.
Në takim me të birin e tij, Alberto Fallkones, Ozit i kërkohet vazhdimi i nënshtrimit ndaj liderit të ri, por dikur është boll, edhe Ozi zgjedh rrugën tjetër.
Në këtë rrugë, ai është i vetëm dhe me dinakërinë e tij, ai duhet të mbijetojë në nëntokën e Gothamit, me qëllimin kryesor – të bëjë të lumtur nënën e tij, e cila vuan nga Parkinsoni.
Ashtu siç vërehet nga titulli, seria bazohet në karakterin e Pinguinit, që dy dekadave të fundit ka qenë disi i lënë mënjanë falë performancës së Heath Ledger në “The Dark Knight.”
Por, te seria Gotham, karakteri i Ozit ka pasur hapësirën që e ka merituar, kryesisht falë aktrimit fantastik të Robin Lord Taylor.
Deri tash…
Kur të shihni episodin e parë, dhe nuk keni asnjë informatë për aktorët, nuk do të mund ta besoni që rolin e Ozit e ka Collin Farrell. Asgjë nuk është makijazhi, se ai ndoshta edhe bëhet pas disa orëve, por adaptimi i zërit, mimikës, lëvizjeve, të le pa mend.
Aktrimi i tij pas filmit, tash në karakter kryesor me shumë më tepër hapësirë, ashiqare, është ndër aktrimet më të mira të viteve të fundit të bëra në TV. Ai ka sjellë një karakter që portretizon Pinguinin në mënyrë të përkryer – me trauma, fëmijëri të rëndë, dhe gjithmonë i nënçmuar nga shoqëria dhe jeta.
Dhe jeta i bashkon personat me histori të ngjashme.
Kështu ka ndodhur edhe me Pinguinin dhe të bijën e Karmajnit, Sofia Fallkonen.
Farrellit i është dashur makijazh për ta bërë më të trashë e më të shpërfytyruar, por për nënën, Cristin Miliotin, s’ka qenë e nevojshme. Prej HIMYM, nëpër disa filma, e tek seria e saj, “Made for Love,” Milioti ka pasur kryesisht karaktere të dashura. Këtu është Sofia e çmendur.
Seria do të përmendet për aktrimin e Farrell, por lirisht mund të themi se kjo dyshe Farrell-Milioti kanë bërë një punë fantastike! Pa harruar edhe karakteret dytësor të Vik, te i cili kemi një çirak të Pinguinit, gjithnjë në luftë me vetveten për rrugën që ka zgjedhur, por, jeta…
Në një podkast, Matt Reeves deklaron që koncepti i serisë është bërë duke lënë hapësirë për një vazhdim eventual për një sezon tjetër, ndonëse është “shitur” si mini-seri.
Marrë parasysh botën e DC-së dhe errësirën që ka përqafuar Matt Reeves në titujt e rinj, mund të krijohet një univers, që do ta bënte këtë sezon fillim të diçkaje të jashtëzakonshme.
Pinguini është një dhuratë nga kopshti i xhenetit për fansat e DC-së. Nota personale: 5/5

