Në mesin e fillimeve më të paqarta të serive duhet të jenë 10 minutat e para të kësaj miniserie.

Gjithçka fillon me një dasmë, në bregdet, diell, gëzim, pastaj vdes dikush. Të nesërmen vjen njoftimi që është anuluar dasma, bartet një kufomë, policia kanë rrethuar vendin, fillon intervistimi dheeee…

Krejt janë duke vallëzuar në plazh, të hareshëm, nën tinguj që të ftojnë në vallëzim, e që ngjan në filmat indian.

Nuk di kur kam qenë më i hutuar me fillim e një serie si tash – a është komedi, romancë, dramë, krim, çka?

Janë gjashtë episode, që me shumë gjasë do t’i kryeni brenda një dite të depresionit a gripit sezonal, cilindo që preferoni.

Viktima mësohet në episodin e parë, por dorasi do të vazhdojë të kërkohet deri në fund, e deri atëherë nuk di a mbetet kush pa qenë i dyshuar, e që e bën këtë ministri interesante.

Nicole Kidman është shkrimtare snobe, burri i saj është Liev Schreiber, e së bashku janë “çifti i përkryer” siç e thotë edhe titulli. Eve Hewson, Billy Howle, e emra tjerë më pak të njohur, janë pjesë e emrave të kësaj mini-serie që është e veçantë në vete.

Disi nuk është e zymtë si seritë kriminale, e as e hareshme si seritë familjare me “dasma.” Këto dyja përzihen në atë që del të jetë një periudhë goxha e tensionuar për karakteret, por assesi për ne, shikuesit. Ndër befasitë më të mira të vitit 2024. Nota personale: 4/5