Janë disa filma që kanë të gjitha parakushtet për të qenë të suksesshëm – temën, aktorët, regjisorin e skenaristin, dhe kështu pritjet sa shkojnë e bëhen më të larta.
Por, kur realizohen, diçka humb, ndoshta në editim, ndoshta as në fillim nuk ka qenë aty, e sidoqoftë, filmi në fund del të jetë zhgënjim, kurban i vetvetes.
Kështu është edhe “The Thursday Murder Club.”
Në një shtëpi pleqsh, tre veta organizojnë klubin e tyre të vrasjeve ku provojnë të zgjidhin misteret e vrasjeve të pazgjidhura. Është një, obsesion t’i them, që ka filluar nga podkastet deri te dokumentarët e Netflixit që ka kapluar njerëzit, ky me vrasësit e krimet e pazgjidhura.
Pra, tema është në rregull, dhe fillimi është i mirë – Helen Mirren, Pierce Brosnan, e Ben Kingsley, janë anëtarë të klubit. Më vonë inkuadrohet edhe një infermiere – Celia Imrie – që përmbyll rrethin e legjendave të kinematografisë britanike.
Nga librat e gazetat, të katërtit duhet të mësojnë kush qëndron mbrapa vrasjes së bashkëpronarit të shtëpisë, i cili kundërshtonte shitjet e saj, për dallim prej ortakut të tij, e që luhet nga David Tennant.
Në rolet tjera vijnë edhe Jonathan Pryce e Richard E. Grant, emra po ashtu të mëdhenj të kinematografisë, që veç çka madhështojnë këtë film!
Megjithëkëtë, filmi është pak i gjatë, humbet në kohë, ka disa momente të panevojshme, nis më herët se që do të duhej, dhe disa nga aktet zgjaten panevojshëm e disa tjera nuk marrin kohë të mjaftueshme. Ndoshta në tentim për t’ju përshtatur librit ka ndodhur kjo, por filmi nuk është ashtu siç e kam pritur.
Një film i mirë, por që mund të ishte fenomenal. Nota personale: 3/5

