Qysh kalon vera pa e kqyr Bud Spencerin e Terrence Hill?

Edhe “They Call Me Trinity” fillon me një atmosferë vere – Triniti po zvarritet nëpër shkretëtirë në një shator që e tërheqë një kali. Me të arritur te vendbanimi i parë, ai ngopet me atë që është ndoshta ngrënia me shijshme në një film.

Kushedi sa duhet të ketë qenë i uritur Terrence Hill që “të fshijë” atë sahan me gjellë.

Tash, me të burgosurin meksikan pas, e veten mbi kali, Triniti udhëton deri në vendbanimin e radhës ku takon Bambinon (Bud Spencer), e që del të jetë vëllai i tij.

Nëpër Amerikën e egër, Bambino dhe Triniti do të ndeshen me shumë armiq, të cilët do t’i luftojnë me mjete e mënyra të ndryshme, para se të bëhen mburojë e mormonëve.

“They Call Me Trinity” është ndër filmat më të mirë të dyshes së famshme të zhanrit spageti-uestern, me plot aventura, e si asnjëherë më parë gjelbërim! Harmonia skenike, sidomos në rrahje e qitje, e të dyve është fenomenale, si gjithmonë!

Është pak më ndryshe nga shumica e filmave që kanë këta dy sa i përket këtij zhanri, që është një freski e këndshme që e bën “They Call Me Trinity” të veçantë, sidomos me qasjen e dy karaktereve kryesore. Nota personale: 4/5