Inspiruar nga filmi “Three Men and a Baby,” i 25 viteve më parë, “Three Wise Men and a Baby,” merr premisën e atij filmi dhe e vendos në një periudhë festash, dhe ambient edhe më festiv.

Ajo që i lidh të dy filmat është Margaret Colin, që në këtë filmin e fundit është nënë vetushqyese e tre djemve, të cilët tash janë në moshë madhore, secili me punën e profesionin e tij, por edhe me të “metat”.

Në prag të Krishtlindjeve, Tejlordi dëbohet nga kompania dhe kthehet të vazhdojë jetën kaotike në bodrumin e nënës. Pak më larg, në oborr, jeton Stefani, një terapist i kafshëve me fobi sociale dhe i çmendur pas pastrimit. Më normali duket të jetë Luka, një zjarrfikës i suksesshëm, por i pasuksesshëm në fushën ku dështojnë edhe dy vëllezërit e tij – në dashuri.

Pak para Krishtlindjeve, Luka gjen një foshnje në prag të stacionit të zjarrfikësve, me letrën që thotë se foshnja quhet Tomas, dhe që Luka duhet të kujdeset deri në Krishtlindje.

Kur e sjell foshnjën në shtëpi, familja duhet të vendosin a të ndjekin udhëzimet e nënës që ka braktisur foshnjën, apo të heqin dorë nga ky mision bamirësie.

Ato që pasojnë janë momente të këndshme, shpesh komike, të ngrohta, me një atmosferë tipike familjare, me karaktere që përshtaten përkryer njëri me tjetrin.

Paul Campbell, i cili bën edhe skenarin, Tyler Hynes, e Andrew W. Walker – tre nga emrat më të mëdhenj të filmave të Hallmark vijnë në rolet e tre vëllezërve, pa harruar edhe Margaret Colin të lartpërmendur, dhe aktorët dytësorë që japin goxha kontribut në mbarëvajtjen e filmit.

Një super-film festiv, i përkryer në çdo aspekt, dhe me filmin pasues që është shfaqur këtë vit, e që është po aq i mirë. Nota personale: 5/5