Para Inzaghit ishte Gary Lineker, veçse më i mirë në atë prekjen finale, dhe kuptohet, pasi është anglez, më i njohur!
Por, fama e tij më shumë vjen nga MOTD dhe së fundmi qëndrimet e tija humane kundrejt padrejtësive. Tash, në krye të podkastit The Rest is Football, Gary Lineker ende mbetet ndër figurat më të mëdha televizive, disi i harruar për kontributin e tij në fushë.
Me het-trik në pjesën e parë të ndeshjes së fundit në grupe për Anglinë, kundër Polonisë, Gary Lieneker ringjalli anglezët dhe lojën e tyre të plogësht në Kupën e Botës së vitit 1986.
Në atë garë, Lineker ishte disa centimetra afër të zhbënte atë golin e famshëm të Maradonës të shënuar me dorë në çerekfinalen, në të cilën edhe Lineker kishte shënuar. Kjo mjaftoi që të gjente vend në ekipin më të mirë të turneut.
Me gjashtë gola të shënuar në këtë Kupë, Linekeri ishte bërë anglezi i parë që fitonte këpucën e artë në Kupën e Botës, deri kur Harry Kane barazoi këtë fat 32 vite më vonë.
I pashpirt dhe fatal para golit, Gary Lineker mbetet njëri ndër sulmuesit anglez më të mirë të gjitha kohërave, përkundër suksesit të tij edhe më të madh larg fushës, duke u konsideruar edhe me legjendën Bobby Charlton, rekordin e të cilit nuk arriti ta barazonte si golashënuesi më i mirë anglez.
I lindur në Leicester, me emrin e dytë Winston për hire të Churchillit, Lineker kishte shpërthyer në Everton para se të kalonte në Barcelonë pas Kupës së Botës së vitit 1986, e për t’u kthyer më vonë në Tottenham.
Megjithatë, asgjë nuk kaloi dashurinë e tij te skuadra e parë, dhe vendlindja, Leicesteri, dhe të gjithë e dimë për mënyrën si festoi titullin e tyre në fillim të sezonit pasues.

