Nuk ka më të gërditshme se kur njerëzit që janë maniakë për një artist të flasin me ëndje për të – ta humbin edhe pak dashuri e respekt që mund të kesh për të!
Një këshillë, sa më pak fjalë, aq më mirë!
Ashtu do të provoj të shkruaj për David Lynch dhe sezonin e tretë të Twin Peaks, që disi mund të lidhet me atë që ishte botuar dje në lidhje me multiversin!
Porse, si Twin Peaks, këtu ka më pak racionalitet dhe më shumë mister, e që gjithçka fillon me fundin te seria origjinale që prapë mbetet ndër seritë më të përkryera mister të viteve ‘90ta.
Agjenti special, Dejll Kuper ende është i ngujuar në Strofullën e Zezë dhe përgatitet për daljen e tij. Por, në vend të tij është një shpirt i ligë që bën jetën e Kuperit duke i mohuar atij kthimin në veten e tij.
Si pasojë, kemi versione të agjentit Kuper, larg të zakonshmit që jemi mësuar ta shohim në dy sezonet e para. Kjo i jep një shije më ndryshe serisë, njëkohësisht duke shfaqur zotësinë e aktrimit të Kyle MachLachlan përgjatë të 18 episodeve.
Por, siç e ka adet Lynch, ai përzien historitë duke shtyrë shikuesin që të arrijë në konkludimet e veta para finales, e cila prapë merr nënshkrimin e zakonshëm të Lynch.
Ka qenë një freski për të parë karakteret e serisë origjinale çerek shekulli më vonë, dhe krejt ndryshimet që kanë ndodhur në Twin Peaks. Mbi të gjitha, zhvillimi dhe ndërlidhja e historive me historinë themelore të zhdukjes së Lorës, por në një ambient të ri, me krejt zhvillimet teknologjike që kanë lehtësuar shtjellimin e historisë, i ka dhënë një shtytje para trashëgimisë që ka pasur Twin Peaks.
Është zor të jem edhe objektiv, edhe të mos prish me spoilera asnjërin nga tri sezonet, pa shkelur këshillën që e dhashë në fillim të këtij shkrimi, prandaj…
Kthimi i Twin Peaks, nga episodi i parë deri në skenën e fundit është art që vazhdon në të njëjtin nivel nga dy sezonet e para, e që shpeshherë, mbase qëllimisht, devijon për qejf të vetë Lynch i cili ka një hapësirë më të madhe para kamerave këtu se në dy sezonet e para.
Tash vetëm sa kemi fotografinë, zërin, e efektet speciale edhe më të mira, ndonëse asgjë nuk lë mbrapa nostalgjinë nga sezonet e para, dhe filmat televiziv. Do të ishte gjynah po të prisnim edhe 20 vite për vazhdimin tjetër, i cili mbetet i domosdoshëm, jo vetëm për fansat! Nota personale: 5/5

