Është një fjali që nuk më kujtohet saktë, por përfundon me atë pyetjen “kur askush nuk të pengon, nuk të thërret, nuk i kujtohesh, a është liri apo vetmi?”
Te “Vanilla Sky,” njëri nga filmat më të nënvlerësuar të Tom Cruise, por me një bagazh të madh psikologjik e filozofik, Cameron Crowe jep një rrugëtim të një njeriu që ka gjithçka, të cilat i humb… apo fiton edhe më shumë.
Është një film që të shtyn të gjesh kuptimin tënd për filmin, dhe rrjedhimisht mund të definohet edhe pikëpamja e shikuesit për jetën. E këtu vjen ajo që shpesh e them “kallxom çka kqyr, të kallxoj çka je.”
Dejvidi është një manjat i mediave, me pasuri të bollshme, dhe me një jetë të çliruar apo të shthurur, i cili përballet me bordin, si zakonisht të mbushur me “hejtera.”
Shoku i vetëm i Dejvidit është Brajani, me të cilin ndajnë gjithçka, e edhe simpatinë për Xhulianën, të cilën mund ta ketë vetëm njëri, e sigurisht është Dejvidi. Por, në krejt këtë mesele përzihet edhe Sofia, xhelozia e Xhulit ndaj së cilës ndryshon krejt jetën e Dejvidit dhe të karaktereve tjera.
Është një film goxha i komplikuar, i cili megjithatë me afrimin drejt fundit ju jep një ndihmë të madhe në thjeshtimin e ngjarjes dhe ju lë juve të zgjidhni se çfarë dëshironi të nxirrni nga “Vanilla Sky.”
Tom Cruise vjen në rolin e Dejvidit, Cameron Diaz është Xhuliana, Penelope Cruz është Sofia, e Jason Lee është Brajani. Në rolet tjetra vijnë edhe Kurt Russell, Timothy Spall, e Tilda Swinton.
Në stilin e Cameron Crowe, “Vanilla Sky” është një film i veçantë në karrierën e Tom Cruise, larg nga ata që jemi mësuar t’i shohim viteve të fundit – aksion me veprime ekstreme dhe vrapimin e tij të njohur.
Ky është film që kërkon pak më shumë angazhim psikologjik dhe një “gudulisje” truri jo aq të ngarkuar. Nota personale: 4/5

