Qysh në fillim të filmit shihet dora e Adam McKay kur deklaron që “Ky film është i bazuar në ngjarje të vërtetë… apo deri në atë masë sa mundet me qenë marr parasysh jetën sekrete të Dick Cheney.”
Dhe filmi ofron atë që premton – një biografi të thuktë të nënpresidentit amerikan në periudhën që ndryshoi historinë jo vetëm të SHBA-ve, por edhe të krejt botës.
Është kjo ngjarje me të cilën fillon filmi, para se të kalojmë në rininë e Dick Cheney, për të shënuar pjesët më kryesore të karrierës së tij deri te ngjitja e tij në rolin e nënpresidentit, apo njeriut më të fuqishëm në hije!
Ajo që veçon këtë film është aktrimi, më saktë transformimi i Christian Bale nëpër disa etapa të jetës së Cheney, e që nuk është aq e panjohur për Bale, i cili këtë ka bërë edhe te filmat tjerë paraprak, edhe atë për mrekulli.
Përkrah Bale në rolet tjera vijnë edhe Amy Adams, Steve Carell, Sam Rockwell, e Jesse Plemons bën narracionin e filmit, si një ushtar i panjohur. Është kjo pjesa e narracionit që i jep formë, shije filmit, pasi përmbush hapësirat që lihen nga pjesa vizuale.
Ana vizuale, teknike e filmit është në stilin e Adam McKay fund e krye – vërehen detajet si kapen, kësaj radhe kamera është më stabile, për dallim te “The Big Short,” për shembull.
Filmi është për ata që u intereson politika dhe historia, dhe për askënd tjetër.
Është i gjatë, në kufi sa do të duhet të ishte një film që përfshin një periudhë aq të gjatë e të gjerë, dhe i balancuar mirë në trajtimin e periudhave dhe ngjarjeve që karakterizojnë jetën e Dick Cheney. Nota personale: 3/5

