I nominuar për pothuajse në çdo kategori për Oskar – 13 nominime dhe 5 fitore – filmi i parë në regji të Mike Nichols është një adaptim i një shfaqje teatrale që përcaktohet në dialogë dhe monologë të katër karaktereve kryesore jeta e të cilëve shkapërderdhet brenda një mbrëmje!

Filmi tregon për Martën dhe Xhorxhin, një çift në moshë të mesme të cilët janë duke shkuar në shtëpi, të dehur. Gjersa Xhorxhi është një profesor i historisë, Marta është e bija e një presidenti universiteti.

Ndonëse ahengu ka përfunduar, ata presin mysafirët, një çift më të ri në moshë, Nikun dhe Hanin.

Ndoshta nga dehja, e më shumë nga traumat dhe e kaluara e shtypur përbrenda, Marta dhe Xhorxhi fillojnë të grinden me fjalë duke shfryrë problemet e tyre në formë të tregimeve për persona të tretë.

Të gjitha këto rrëfime kanë një histori në vete e rrallëherë përshtaten njëra me tjetrën duke shtyrë mysafirët në një pozitë të palakmueshme, ashtu si edhe neve shikuesve.

Por, dikur iu plas edhe atyre dhe fillojnë të tregojnë historitë e tyre, në të njëjtën mënyrë, si tregime për dikë tjetër, megjithëse të gjithë e dinë që kjo mënyrë është vetëm një kamuflazh i dobët për të mos pranuar krimet që kanë bërë, edhe ndaj njëri-tjetrit.

Filmi është një grindje e këtillë, që të bën të “ngushtohesh,” ashtu si ndodh kur shkon mysafirë diku dhe mikpritësit “thumbojnë” apo ofendojnë njëri-tjetrin me fjalë, dhe ti je pishman që ke vendosur të shkelësh atë prag që s’do ta shkelësh më.

Aktrimi është fenomenal, sidomos nga Richard Burton e Elizabeth Taylor të cilët sigurisht kanë pasur dialogë të ngjashëm edhe në jetën reale si çift. Por, aspak më mbrapa nuk mbetet George Segal, derisa Sandy Dennis u vjedh vëmendjen të gjithëve me aktrimin e saj!

Regjia vjen nga Mike Nichols, i cili do të vazhdonte të bënte një karrierë të pasur me filma të veçantë, të dallueshëm nga trendi, e të cilët do t’i sillnin suksese.

Megjithëkëtë, aktrimi mbetet ai që e veçon këtë film nga turma. Nota personale: 4/5