Gati 100 vite pas realizimit, filmi i parë që fitoi Oskar si filmi më i mirë i vitit, mbetet një mrekulli në vete!
Historia e trajtuar te “Wings” mund të jetë e zakonshme, por që komplikohet në dy trekëndësha dashurie, me dallimet shoqërore që luajnë rol në krejt këtë mesele.
Por, ajo çfarë e bën këtë film të mrekullueshëm është realizimi teknik, i cili fillon me njërën nga skenat më të “trenta” në film, me një kamerë që kalon nëpër tavolinat e një restoranti rresht me njerëz të ndryshëm që komunikojnë mes vete, e që ngrihet deri në qiell me dy pilotë që luftojnë në Luftën e Madhe, apo që më vonë do ta njohim si Lufta e Parë Botërore.
Për këtë arsye, dy aktorët në rolet kryesore, si dhe regjisori, që të gjithë sjellin përvojën nga lufta në këtë film me qëllim që të duket sa më origjinal aktrimi dhe realizimi.
Charles Rogers vjen në rolin e Xhekut, ashtu si Richard Allen në rolin e Dejvidit, që të dy pilotë, e që të dy të dashuruar në të njëjtën grua, Silvinë – Jobyna Ralston, e cila ndonëse e do Dejvidin, nuk arrin t’i thyej zemrën Xhekut, duke shtyrë të dy të nisen në luftë për t’i dëshmuar burrërinë asaj.
Në krejt këtë trekëndësh përfshihet edhe Meri – Clara Bow, e dashuruar në Xhekun, ndjenjë që e shtyn edhe atë të rekrutohet në ushtri.
Në film rol dytësor ka edhe Gary Cooper i cili do të kthehej në njërin ndër yjet më të mëdha të Hollywoodit të zëshëm, gjersa “Wings” mbetet ndoshta kryevepra e fundit e Hollywoodit të pa zë.
E në mungesë të zërit, filmi shkëlqen në aspektin vizual, edhe atë falë regjisë së William A. Wellman, i cili mori drejtimin e këtij filmi pasi ishte i vetmi regjisor me përvojë lufte, dhe falë kësaj përvoje ai sjell disa nga skenat më mbresëlënëse në ajër, të mbushura me aksion, duke e bërë “Wings” një film të pakrahasueshëm për atë periudhë.
Është njëfarë mrekullie në vete që edhe sot të habit me realizimin teknik marrë parasysh rrethanat. Nota personale: 5/5

