Në serinë ESPN 30for30, ndër pjesët më të mira është trilogjia për rivalitetin ndërmjet Boston Celtics dhe Los Angeles Lakers. Ajo trilogji si pjesë e historisë më ka kënaqë, ani pse nuk është dokumentari më i mirë i basketbollit në atë seri – This Magic Moment!
Për fansat e basketbollit, seria ‘Winning Time’ sjellë lindjen e dinastisë së Lakers të viteve 1980-ta.
Prej momentit të ndërrimit të pronësisë, nëpër sezonin e parë të zorshëm, problemet brenda e jashtë parketit, drafti i Magic-ut, e deri te shkëndija e parë e suksesit dhe lindja e rivalitetit të lartpërmendur, kjo seri është parajsë për fansat e basketbollit.
Jo medoemos duhet të doni basketbollin, apo Lakers që të kënaqeni me këtë seri. Shumë veta kanë filluar të ndjekin Formula 1 prej Drive to Survive, ani pse ajo është më shumë si një ‘doku-përshkrim’.
‘Winning Time’ është adaptim filmik i ngjarjeve që përmenda, gjithmonë përqendruar rreth karakterit të Jerry Buss i cili nuk është një biznesmen i zakonshëm.
Sezoni i parë përqendrohet goxha shumë në jetët private të karaktereve në fjalë, nisur nga Buss dhe krejt tollovia me blerjen e Lakers dhe problemet familjare; te drafti i Magicut, ndërrimi i trajnerëve, e jeta personale e Kareem Abdul-Jabbar.
Aktrimi është i mrekullueshëm.
Nuk di a ka pasur aktor më të përshtatshëm se John C. Reilly për rolin e Jerry Buss (ani pse flitet që Will Ferrell është prishur me Adam McKay mu për këtë rol). Sally Field luan rolin e nënës së Buss; Adrien Brody të Pat Riley, Jason Segel të Paul Westhead, e Tracy Letts të trajnerit Jack McKinney.
Këta janë nga emrat më shumë të njohur, por edhe pjesa tjetër e aktorëve janë në krye të detyrës.
Sezoni i dytë fillon sonte në HBO, dhe supozohet të ketë shtatë episode.
Nuk e di si ndihem për këtë sezon, pasi fundi i sezonit të parë ka qenë në momentin e përkryer, e ngjarja e shtjelluar ka qenë e papërsëritshme, ani pse ka mjaft gjëra për t’u përpunuar edhe në sezonin e dytë, a më shumë.
Me Adam McKay si producent ekzekutiv, seria është realizuar me një teknikë pak a shumë të ngjashme me të tijën – lëvizja e kamerës dhe ‘deformimi i ngjyrave’ për t’u përshtatur me kohën. Edhe kjo është diçka që e ka bërë këtë seri edhe më të dashur për mua.
Pra, si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë artistik, e kreativ, sezoni i parë i ‘Winning Time’ është një sezon që të kënaqë, edhe nëse je fans i Utah Jaz. Nota personale: 5/5

