Janë disa filma që me kalimin e kohës humbin jehonën, jo që filmi ka qenë i momentit, por vjen një film si “Logan” dhe të jep kuptim krejt tjetër për historinë e Wolverine.

Historia e Wolverine vjen te filmi i katërt në serinë e filmave X-Men, dhe i pari në spinoffin për karakterin e bërë të famshëm nga Hugh Jackman.

Filmi ka gjithçka që duhet të ketë një film me superheronjë – heroin kryesor, historinë e tij në lidhje me familjen, rivalitetin familjar, romancën, dhe në fund heronjtë tjerë me të cilët nuk mbetet pa u konfrontuar.

Nuk është i gjatë për t’u tepruar, por njëkohësisht është paksa i nxituar në çaste.

Provon të kap shumëçka nga historia e Wolverine, dhe kjo e bën të duket se disa skena janë të përshpejtuara. Disi sikur janë dy filma në një.

Përkrah Hugh Jackman vijnë edhe Liv Schreiber, Danny Huston, Dominic Monaghan, dhe ai që do t’i mbetet më së gjati në jetën filmike – Ryan Reynolds.

E ky film mund të konsiderohet edhe si zanafilla e serisë së filmave të Deadpool që do ta kthenin edhe Ryan Reynolds por edhe karakterin e Deadpool në një hero të veçantë, si Wolverine, por i kundërt me Wolverine.

Film goxha i mirë, por jo më i mirë se që ishte 15 vite më parë. Nota personale: 3/5