Njëra nga komeditë romantike më të mira të viteve 2000ta ka të bëjë me një “rrotë të tretë,” nëse e përkthejmë fjalë për fjalë (literally) nga anglishtja, i cili pasi humb gjithçka për dasmën e shokut të tij më të mirë, zhvendoset të jetojë me çiftin e porsamartuar.
Me t’u vendosur te Molli dhe Karli, Dupri e rehaton veten më shumë se që duhet, si çdo njeri që i jep gishtin e të merr dorën, edhe pos që u prish taktin e jetës si çift i porsamartuar, ai u prish edhe shtëpinë e tyre, materialisht, deri në një masë.
Në regji të vëllezërve Russo, të cilët më pas do të kalonin në botën e Marvelit, filmi është një komedi që ka gjithçka – histori, dialogë, karaktere, e edhe pjesën vizuale me gjithçka që u bën vaki karaktereve.
Zhvillimi i karaktereve, ndryshimi i tyre nga ndodhitë në film transformon edhe neve si shikues gjatë filmit, duke ndryshuar edhe qasjen tonë ndaj karaktereve, protagonistët e antagonistët!
Në rolin e Duprisë vjen Owen Wilson, i shkëlqyeshëm, ndoshta me njërin nga aktrimet më të mira në karrierën e tij të komedive romantike. Karli është Matt Dillon, e Kate Hudson është gruaja e tij, e bukura Molli. Harmonia e kësaj treshe është fantastike.
E atyre u shtohen edhe Seth Rogen e Michael Douglas me role më të vogla, por goxha ndihmëse në zhvillimin e historisë.
Një film që dëshmon më së miri zhanrin e komedive romantike që kanë shënuar periudhën e dominuar nga ky zhanër. Nota personale: 4/5

