Hajde flasim për dashurinë!

Nuk është sekret që shumica përzgjedhim të duam atë që mendojmë që meritojmë ta duam, jo dikë që vërtet duam. Prandaj dikush vendos të durojë dhunën, qoftë psikike, fizike, a emocionale. Ashtu mbetemi të ngujuar nga frika që nëse hapim zemrën, nuk do na duan e pranojnë, prandaj durojmë!

Kërkojmë atë që do na bën të jemi “ekipi më i mirë” qysh thotë Love gjatë këtij sezoni të tretë të You, e që ishte edhe më i mirë se i dyti!

Tashti, ta kemi të qartë, unë isha dhe jam #TeamLove, ani pse fundi qe i kobshëm për mua si fans i këtij ekipi, por i përkryer si fans i serisë.

Aq mirë qe shkruar, shtjelluar, zhvilluar ngjarja sa që arritëm tek përmbyllja fenomenale e sezonit të tretë.

Por, le të shohim pak në detajet që e bënë këtë sezon më të mirë se tjerët.

Gjithmonë dy janë më mirë se një, dhe kur gjen dikë më të çmendur se ti, atëherë ke qëlluar preminë e jetës. Kjo ishte Love për Joe. Ose së paku ashtu premtohej me fundin e sezonit të dytë. Ndonëse, nuk besoj që ka pasur shumë që kanë pritur këtë transformim të Love.

Vet fundi i sezonit të dytë ku Joe lëshon sytë në Margaret, na bën të ditur që do i kthehet rrugëve të vjetra. Porse, u gabuam.

Margaret qe shtesë e mirë në seri, pika kryesore për të zhvilluar këtë sezon, por Conradët, të cilët na shoqëruan në episodet e fundit… Pafjalë!

Disi na kthyen më normale krejt këto që bënin Joe e Love, për dashurinë, për dallim prej Conradëve. Sidomos Cary! Fundi i tyre, ngjashëm si i Theos, qe diçka pozitive për mua, sepse nuk na nevojiteshin më shumë viktima. Pastaj tek karakteret dytësore interesante ishte edhe zhvillimi i karakterit të nënës së Love, sidomos në lidhjet e tyre nënë-bijë, dhe vendimin e saj për tu rrëfyer në Joe.

Por, si për çdokënd të interesuar dhe aktiv për shëndetin mendor, seancat e terapisë së Joe e Love mbesin ndër pjesët më të mira të këtij sezoni. Si dhe finalja.

Harmonia skenike (ose që po ja bojnë disa kimia) e Veronica Pedrettit e Penn Badgley ka qenë fenomenale. Sidomos episodi final dhe seancat. Disi nuk mund të mendojnë dikë që do të ishte përshtatur më mirë, as BrAngelinën te Mr. & Mrs. Smith, me të cilin film pak ngjan finalja, por është shumë më e mirë se filmi. Karakteret e Marienne e Theo ishin të rëndësishëm, por mbetën në plan të dytë më shumë se që mbesin këto karaktere për mua zakonisht. Nuk di sa do të kenë hapësirë në sezonin e katërt, por…

Nuk e dua sezonin e katërt! Jo pa një prequel për të kaluarën e Love, për të cilën gjë janë dhënë mjaft detaje në këtë sezon! E ky sezon është ndër romancat më të mira të viteve të fundit në televizion. Nota personale: 5/5