Disa seriale marrin kohë të adaptohesh me karakteret e tyre, ani pse ke pasur historinë e karakterit kryesor, ndër më të veçantit në TV, për më shumë se 12 sezone.

Nisur me shumë dallime nga The Big Bang Theory – komedi me një kamerë (e njëjta skenë xhirohet disa herë dhe më pas ngjiten këndet e ndryshme) dhe pa trakë të qeshurash, me një ansambël krejt të ri aktorësh, Young Sheldon nuk e ka pasur të lehtë të fitojë fansat e TBBT.

Por, me kalimin e kohës, ka krijuar një bazë të veçantë të fansave të cilët jo medoemos kanë qenë fansa të Big Bengut.

Edhe krejt kjo falë karakterit kryesor, Shelldonit të ri, dhe performancës që bën Iain Armitage përgjatë 7 sezoneve e 141 episodeve.

Më e mira e serisë ka qenë që nuk është përqendruar vetëm në jetën e Shelldonit, por secili karakter ka pasur historinë e tij, kohështrirjen e tij, nga Misi deri te dy shkencëtarët – Xhoni e Granti, e edhe i dashuri i gjyshes, Dejlli.

Në fund, pas 141 episodeve, jemi ndier si pjesë e familjes Kuper, me të cilët kemi ndier sa gëzimet, ashtu edhe dhimbjet, e mbi të gjitha situatat e çuditshme nga bizneset e gjyshes, tek aferat e prindërve, e aventura e Xhorxhit, jeta e të cilit po vazhdon në spin-off seri të veten.

Për dallim prej TBBT, Young Sheldon nuk ka qenë komedi, por më shumë një dramë familjare për një gjeni që ka maltretuar, pavetëdijshëm, të gjithë përreth, por thellë në zemër, ka qenë vetëm një efekt anësor i shprehjes së veçantë i dashurisë familjare, ashtu siç bëjnë të gjithë.

Sot, “Young Sheldon” mbetet një ode e përkryer për The Big Bang Theory, duke kaluar edhe në një botë të veçantë të vetën, gjersa universi i TBBT po vazhdon të zgjerohet sa me “martesën e parë të Xhorxhit me Mendin” edhe me historinë e Stjuartit që pritet të vijë në ekrane gjatë këtij viti.

Përfundimisht, “Young Sheldon” një seri familjare e nënvlerësuar, e që duhet të jetë “shikim i obligueshëm” për çdo familje. Nota personale: 5/5