Motra e madhe, sidomos kur është fëmija i parë në familje, bëhet gjysmë-nënë që nga lindja e fëmijës së dytë.
Është një bekim që pak veta e kuptojnë, e fatkeqësisht disa as nuk e vërejnë këtë, duke e konsideruar si diçka të zakonshme. E kjo “detyrë” rëndohet edhe më shumë te familjet ku nëna nuk është, siç ndodh me Katarinën dhe Biankën.
Si prind i vetëm dhe me një profesion që ka punë me shtatzëni të hershme, Uollteri tenton të ruajë dy vajzat e tija nga rreziqet e adoleshencës. Kjo punë i lehtësohet falë bijës së madhe, e cila si një antisociale nuk është e interesuar në romancë dhe adoleshencën e “kotë” siç e sheh ajo.
Prandaj, babai i ka vendosur Biankës një kusht – nuk do të dalë me djem deri kur të del Katarina, e cila qysh duken punët nuk është se do të ndërrojë mendje së shpejti.
Por, edhe antisocialët më të mëdhenj, çika a djem, si krejt njerëzit, e kanë një dëshirë mbi të gjitha – t’i duan për çfarë janë, edhe kur ata nuk e duan veten.
Për të zbutur zemrën e Katarinës që ai vetë të dalë me Biankën, Xhoi paguan një maturant që të bindë Katarinën të dalë, e rrjedhimisht të “hap rrugë,” edhe për Biankën, të cilën vetë Xhoi e do për vete, por jo sa Kameroni.
Pra, është si adeti shqiptar – së pari martohet djali, pastaj çika e madhe, e kështu me radhë, por shyqyr që po harrohen këto kotësira.
Në rrugë drejt zemrës së Katarinës, Patriku, i angazhuar për t’i zbutur zemrën, shkon në kufij duke krijuar edhe njërën nga skenat më legjendare në filmat për adoleshentët – këngën e Fankie Valliet, e cila megjithatë nuk është skena më e mirë dhe më emocionale e filmit.
“10 Things I Hate About You,” është fenomenal falë aktrimit të Julia Stiles e Heath Ledger, derisa del të jetë si një portë drejt suksesit edhe për Joseph Gordon-Levitt, të cilin do ta njohim si alien për shumë vite.
Është film i përkryer, i realizuar mrekullueshëm, dhe lum ne që jemi rritur me kësisoj filma! Nota personale: 5/5

