Si qenie egoiste që gjithmonë e vendosim veten në plan të parë, nuk e kemi idenë e veprimeve minimale tona që mund të ndikojnë në jetët e tjerëve.
Qysh ka thonë edhe gjyshi i spajdermenit, “sa ma shumë fuqi, aq ma shumë përgjegjësi,” dhe fatkeqësisht te ne më fuqia e pushteti shkon në proporcion të drejtë me paranë, jo përgjegjësinë. Kjo qasje nuk është e kufizuar vetëm te ne, por së pari oborrin tonë pastaj tjerët.
Në një ditë vere, në një gjykatë në Nju Jork, 12 anëtarë të jurisë mblidhen për të vendosur fatin e një djali të ri që akuzohet se ka vrarë të atin abuzues. Para se të mblidhen për të marrë vendimin unanim, gjykatësi u kujton që po votuan të gjithë “fajtor,” i akuzuari do të shkojë në karrigen elektrike.
Në krejt atë vapë, 12 anëtarët e jurisë, secili me gajlet e veta, planifikojnë ta kryejnë sa më shpejt këtë proces dhe t’i kthehen përditshmërisë. Një nga një, të gjithë e shpallin “fajtor” deri kur arrijnë te tetëshi.
Henry Fonda, që vjen edhe në rolin e producentit bashkë me skenaristin në shfaqjen e të cilit bazohet ky film, Reginald Rose, voton për pafajësinë e të akuzuarit duke shtyrë një debat që për 90 minuta sjell njërën nga dramat ligjore më të mira në histori të filmit.
Pos për rastin në fjalë, secili nga anëtarët e jurisë fillon të filozofojë edhe për jetën dhe vendimet e tyre në këtë botë, duke shtyrë te një qasje krejt tjetër të rastit.
Filmi është i thjeshtë, por shumë i pasur me dialogë që e pasuron këtë film për nga origjinaliteti duke na bërë të ndihemi sikur jemi pjesë e asaj jurie që po vendosin fatin e një djali, për të cilin nuk e kemi idenë se kush a çka është.
“12 Angry Men,” mbetet një kryevepër filmi e mbushur me filozofi që shkundin themelet e karakterit human në kërkim të drejtësisë. Nota personale: 5/5

