Në njërën nga episodet e Young Sheldon, Dr. Cooperi në fëmijëri nën narracionin e të rriturit na tregon se “neutrinot” nuk bashkëveprojnë dhe janë disi si introvertët, botë në vete.
Janë këto neutrinot që fillojnë të ndërveprojnë me grimca tjera e që vazhdojnë me shumë anomali tjera shkencore që i japin jetë filmit të famshëm, e që në thelb kah ndryshimet klimatike. Kur jemi te ndryshimet klimatike…
Moti i mirë sot, hë?
Nejse, jo ma nxehtë se viteve të kaluara, por larg dimrave të fëmijëve së të 90tave kur shtyhej mësimi e mbetnim të lexonim lekturat e Qamil Batallit!
Një shkrimtar është karakteri kryesor te filmi ‘2012’ të cilin shumica tash e dymbëdhjetë vite e konsiderojnë komedi, ngjashëm si ngrohjen globale si proces. Tash, derisa nuk besoj se veprimet tona individuale munden të ndikojnë në ngrohjen globale, si proces natyror është i pamohueshëm, por kjo për ndonjë dokumentar.
12 minutat e parë të filmit kapërcejnë nja tri vite nga shfaqja e anomalive të ndryshme fizike deri te shpërthimi i parakohshëm i apokalipsit që detyron aktivizimin e planit të mbijetesës për ata, veprimet e të cilëve më së shumti ndikojnë në ngritjen e temperaturës mesatare vjetore.
Mund ta urrejmë filmin si “i ekzagjeruar” e edhe si “komedi” por realizimi teknik është goxha mirë, siç e bën zakonisht Roland Emmerich.
E kur them realizimi teknik ashiqare të gjitha ato katastrofat natyrore që fillojnë nga tërmetet, rrëshqitjet e tokës, te vullkanet e vërshimet janë goxha shpërthyese që e bëjnë filmin të jetë vizualisht në nivel.
Tash, ngjarja kah fundi shkon e bëhet limonadë, edhe bajagi një kohë e gjatë kalohet në gjëra shumë minimale e shumë të kufizuara por si zakonisht me ndikimin maksimal, duke marr një fund tipik hollivudian.
Si film apokaliptik, tash që e kemi lënë datën e famshme 12-21-12 mbrapa, është një fantashkencë mirë e realizuar. E pasi nuk ka më këso datash “interesante” e as ndonjë parashikim të civilizimeve të zhdukura, kush po e kqyr temperaturën, Allahile? Po “të kënaqemi” me këtë “verë në dimër.”
Ndoshta duhet të frikësohemi kur ne introvertët fillojmë të dalim më shpesh, a edhe më keq, të flasim me njerëz. Deri atëherë, për shumëkë, ky film mbetet një komedi, ama e mirë. Nota personale: 4/5

