Vera është e mbivlerësuar si stinë.

Disi e paramendon si një ditë të ngrohtë me vranësira në një natyrë fshati me cicërima zogjsh e ndonjë kombajnë duke korrur, por në fakt krejt çfarë ke janë disa fjali gjermanisht para se të dëgjosh një tallava në kupë të qiellit dhe veturën që ‘shllajfit’ para se të lëshohet skena për zhurmën që vije nga dy kilometra larg prej ndonjë kanagjegji a budallallëku të ngjashëm!

Në regji të Marc Webb, ‘500 Days of Summer’ sjellë historinë e dy të rinjve të dashuruar përgjatë 500 ditëve.

Tom është një ‘ahmak’ që beson në dashuri të vërtetë, një romantik që shkruan poezi të cilat Samër i nënvlerëson sepse zoja nuk beson në dashuri, por ashtu në atë çfarë i sjellë jeta përpara.

Dhe kjo histori mund të bazohet në shumë ngjarje të vërteta, përfshirë edhe nga ato të miat, pse jo, sepse njerëzit ‘e prishur’ gjithqysh do të provojnë të ‘ndreqin’ njerëzit që nuk besojnë në dashuri me idenë që ose nuk janë dashuruar siç duhet, ose dikush i ka bërë të humbin besimin në dashuri.

Tomi merret me vetveten, të gjejë një pikë, një arsye ku ka gabuar, pse nuk ia doli të bindë Samërin në dashuri, a mjaftoi dashuria e tij, në mos ishte mënyra e gabuar, e këso gjëra.

E në anën tjetër, kur kupton të vërtetën, e sheh që problemi, ndonëse bëhet të duket që ishte ai dhe veprimet e tija, në fakt ishte ai dhe jo veprimet e tija. Sepse, jeta nganjëherë ti mund të duash të jesh ‘mjeku’ por në fakt nuk e ke ‘ilaçin’ që i duhet personit që dëshiron ta ‘shërosh’.

Dramë, romancë, komedi, çfarëdo quajeni, por ky film të plasë nervat sidomos nëse si Tom Hansen keni pasur njëfarë përvoje të ngjashme në jetën reale.

Vera mund të jetë e preferuara nga stinët për shumicën, por dikujt i pëlqen dimri ma shumë! Pse jo, bora ‘pastron’ ajrin dhe natyrën, dhe mbanë brena njerëzit, e edhe dasmat (pos këtyre që kanë në plane babinat për pranverë!).

Ndonëse mund të jenë nerva-prishës, filma si ky nevojiten për të dëshmuar që ‘nuk jeni ju problemi,’ dhe që Tomi nuk është i vetëm. Sepse nganjëherë djali takon vajzën. Djali dashurohet. Vajza nuk dashurohet. Jeta vazhdon, vjen vjeshta, edhe më e mirë se vera. Nota personale: 4/5