Njëra prej këngëve më të nënvlerësuara të Robbie Williams është “Me and My Mo*key.”
Kështu, në narracionin e filmit që mban titullin e një tjetër kënge legjendare të Robbiet, ai na tregon se si e sheh veten, dhe pamja e parë që shohim nga filmi është një majm*un.
Kjo është pjesa më e çuditshme e filmit, që ndoshta ka lënë shumë veta të indinjuar dhe nuk kanë parë filmin deri në fund, apo fare hiq, por sigurisht ata nuk janë fansa të njërit nga këngëtarët më të mirë që ka njohur Britania në ndërrimin e shekujve të fundit.
Qysh në tre minutat e parë të filmit kemi edhe atë që mund të jetë ndër performancat më të mira të Robbiet në një sallë – My Way i Frank Sinatras.
Nga këtu, e deri në fund, kemi një autobiografi të plotë të Robbie Williamsit, që nuk është aspak një rrugë e lehtë, përkundrazi, duke sjellë të gjitha të këqijat, përfshirë edhe disa për të cilat vetëm është hamendësuar, e që më në fund jep sqarime të qarta duke bërë narracionin e vetë filmit të tij.
E mbi të gjitha, tregon për luftën e brendshme me vetëbesimin dhe si kanë ndikuar rrethanat e jeta në këtë sfidë, përkundër së cilës ai ia del të jetë ai që është sot – legjendë.
Marrë parasysh që është film për një muzikantë, e që na bën të humbmi e të këndojmë këngët më të njohura, e mbi të gjitha më të dashura të Robbie Williams, “Better Man,” është një aventurë parajse për neve fansave të tij.
Është një karaoke sesion që sjell historinë që është goxha mirë e përpunuar, në detaje që gjithmonë janë në përshtatje me temën që trajton, pa provuar të japë vetëm një anë të historisë, por edhe ato që vetë Robbie nuk i ka për t’u lavdëruar.
“Better Man,” është si një video-album i Robbie Williams, por pa u dukur fare ai, derisa na tregon për jetën dhe tjerët që e rrethojnë, derisa ai veten e sheh si një kafshë, e që në fund del të jetë përzgjedhje më e mirë se dikush që do të ngjante në Robbien, a vetë Robbie të luante këtë rol. Nota personale: 5/5

