A Bug’s Life (1998)

A Bug’s Life (1998)

Filmin e dytë në historinë e Pixar mund ta shohim si një inspirim për studion që më vonë do të vazhdonte të sillte tituj shumë më të mirë duke lënë vazhdimin e tretë të “Toy Story” të priste më shumë se një dekadë.

Historia e një milingone që provon të mbrojë koloninë e saj duke rekrutuar insekte e gjallesa të ndryshme për t’iu kundërvënë karkalecave mbetet në sirtarët e pasmë të listës së filmave të Pixar, diku në harresë.

Nuk e meriton këtë trajtim për faktin se si film në vete është i veçantë dhe goxha gjithëpërfshirës për insekte dhe gjallesa. Në fakt, në kulturën e sotme do të ishte një super-film që përfshin të gjitha racat e gjinitë.

Por në vete është një histori bashkimi i të shtypurve kundër shtypësve.

Historia është e mirë, pa behane, e zërat janë adekuat për karakteret dhe ndër më të mirët e asaj kohe. Animimi disi, sigurisht nga krejt çfarë kemi parë në gati 30 vitet pasuese mund të duket disi inferiore, por për atë kohë mendoj që është në nivel.

Megjithatë, titujt pasues të Pixar kanë ndikuar që “A Bug’s Life” të mbetet në harresë, dhe sot të jetë vetëm një film mesatar, i përshtatshëm për stinën e pranverës. Nota personale: 3/5