Çka bëjnë gratë kur burrat shkojnë në luftë?

Fillojnë të luajnë bejsboll që t’i argëtojnë burrat që nuk kanë shkuar në luftë!

Në një rrëfim fiktiv të asaj që njëmend ishte ligë bejsbolli pas përfshirjes së SHBA-ve në Luftën e Dytë Botërore, “A League of Their Own,” sjell gra që fillojnë të luajnë në një ligë bejsbolli me MLB-në që ishte në rrezik të ndërprerjes së aktiviteteve.

Filmi fillon me karakterin e Jon Lovitz i cili rekruton dy motra, Dotin – e cila ka vërtet talent për këtë lojë, ndonëse është vetëm një vajze ferme, dhe motrën e saj – Kit, pa të cilën ajo refuzon të udhëtojë në gara.

Kjo lidhje e tyre kalon nëpër faza e emocione të ndryshme gjatë angazhimit të tyre në lojën profesionale, derisa skuadra fillon e bëhet një super-grup i grave që arrijnë të fitojnë zemrat e spektatorëve, të cilët ishin skeptikë për shkak të gjinisë, e edhe zemrën e trajnerit të tyre, një pijanec të cilin alkooli e ka rrëzuar edhe me plot kuptimin e fjalës.

Trajneri është Xhimi, i portretizuar nga Tom Hanks, e në rolin e Dotit, lojtares kryesore dhe asistentes së Xhimit kur është i dehur, luan Geena Davis.

Në rolet tjera janë emra më pak të njohur për ne, besoj, si Rosie O’Donnell, Lori Petty, e edhe Madonna vjen si lojtare në ekip.

Është film për fansat e bejsbollit dhe feministët, ndër më të mirët për bejsbollin. Nota personale: 4/5