Shenjat e para të “pleqërisë,” janë kur të kënaqin videolojërat që nuk kërkojnë lojtarë tjerë e angazhim të rregullt.
Pas një dite të lodhshme, i hip kamionit edhe bart mallra duke dëgjuar ndonjë podcast çlodhës për historinë, sepse krejt çfarë do tash janë mënyra për të ikur nga e tashmja toksike që nga rrjetet sociale ka pushtuar jetët e përditshme.
Ide nuk kam çka është “minecraft,” të cilin pos te tiktokat e Brooke e Jubal, nuk e kam parë diku tjetër.
Por, filmi ishte shumë më i këndshëm se disa filma tjerë të bazuar në videolojëra së fundmi – Super Mario e Angry Birds për shembull, e as nuk kishte bërllok si The Last of Us.
Jason Momoa e Jack Black në rolet kryesore janë të shkëlqyeshëm, dhe sigurisht dy fytyra që përshtaten në filma për fëmijë, sidomos gjysma e Tenacious D. Në rolet tjera është ajo aktorja e Wednesday dhe vëllai i saj.
Pos Minecraft, filmi fillon me një ode të videolojërave të viteve 1980ta e 1990ta, që është një ide e mirë për të tërhequr neve, fëmijëve të paraluftës, dhe ia del me sukses.
Është film çlodhës, i këndshëm, e besoj është edhe më i mirë për ata që e shikojnë me fëmijë që kanë lidhje me Minecraft. Nota personale: 3/5

