A Place in the Sun (1951)

A Place in the Sun (1951)

Bazuar në novelën e vitit 1925, “An American Tragedy,” më vonë e kthyer në shfaqje teatrale, dhe inspiruar nga ngjarja e vërtetë e vitit 1906, filmi i vitit 1951 në regji të George Stevens, sjell një dramë goxha të tensionuar nga përditshmëria amerikane e pjesës së parë të shekullit XX.

Ngjarja zhvillohet në Kaliforni, ku Xhorxh Istmën, një djalë i ri dhe i varfër i rritur në një familje fetare, vjen për të gjetur punë në fabrikën e axhës së tij të pasur. Me t’u adaptuar, e filluar të ngjitet në pozitë, sa për nga puna, më shumë për nga nepotizmi, Xhorxhi fillon të avancojë edhe në jetën romantike.

Fillimisht ai fillon një lidhje me një kolege, Alisën, por rregullat atëherë ndalonin çfarëdo lidhje mes punëtorëve, dhe kjo detyron ata të mbajnë lidhjen e fshehur. Derisa lidhja e tyre zhvillohet dhe kalon nëpër faza të ndryshme, ashtu ndryshon edhe shija e Xhorxhit, i cili në rrethin e tij fillon të ndihet më i veçantë, dhe gjen një dashuri të re, goxha elektrike.

Por, gjërat komplikohen me Alisën që fillon të nuhasë këtë ndryshim, dhe Xhorxhin që provon ende të ruaj sekretin e së kaluarës së afërt derisa provon të zhvillojë jetën romantike në rrethin e tij tash më të ngritur social.

Është dramë, goxha e thellë, e rëndë për t’u trajtuar, dhe kjo bëhet më e rëndë se që është nga aktrimi i Montgomery Clift në rolin kryesor të Xhorxhit.

Disi, është i shkëlqyeshëm në këtë rol, me karakterin e tij që ndryshon nga fillimi deri në fund, dhe në çdo moment, Clift është në krye të detyrës duke përçuar emocionet dhe lëvizjet e tij fizike në të gjitha aktet e ndryshme që i jepen karakterit të tij.

Ndihet çdo emocion, pozita e tij, paqartësia e tij ndaj jetës, ndryshimeve, dhe kjo ndihmohet edhe më shumë nga aktrimet e të dyja aktoreve në rolet kryesore – Shelley Winters si Alisa, dhe ylli në ardhje, Elizabeth Taylor, në rolin e Anxhelës, e cila si 17 vjeçare mahnit me paraqitjen e saj, e cila do të jetë një shenjë, metodë, të cilën do ta bartë deri në pensionim.

Mund të jetë ndër dramat më të mira amerikane ndonjëherë, ky trekëndësh dashurie, por ka momente kur duket shumë i ngadaltë, pastaj i përshpejtuar, duke humbur një balancim në kohështrirjen e ngjarjeve. Kjo është e vetmja gjë negative për këtë film.

Përndryshe, ngjarja në nivel, aktrimi i treshes fantastik. Nota personale: 4/5