A Working Man (2025)

A Working Man (2025)

Para se të shikojmë një film, e kemi trailerin për të njoftuar me temën dhe fytyrat, e në shkrim janë këto “recensimet.” Asnjë nga këto nuk ofron “spoiler,” për të prishur ngjarjen kryesore dhe fundin.

Kështu, kur shohim një film me Jason Statham në rolin kryesor e dimë se qeli i njohur do të zhdëp dajak çdokënd që i del përpara deri të arrijë në fund të misionit të tij. Nganjëherë ky dajak përshkallëzohet në të shtëna armësh, shpërthime bombash, e ngjarje të ngjashme.

Kushdo që pret diçka tjetër do të zhgënjehet!

E ne që presim të gjitha ato të përmendura më lart edhe te “A Working Man,” kemi Jason Stathamin e zakonshëm. Tash i quajtur Levon, një ish-komando i marinës amerikane, punon si ndërtimtar në Çikago, dhe nga pak miqtë e ka familjen e shefit të kompanisë, Xho.

Njëkohësisht, Levoni është duke provuar të marrë mbikëqyrjen e bijës së tij, Merrit, por kjo duhet të presë kur e bija e Xhosë, Xheni zhduket. Këtu vjen Levoni i cili do të niset në tragë të rrëmbyesve.

Në këtë mision, i kemi të gjitha që mund të presim nga Jason Statham, ndonëse një pjesë e madhe janë në errësirë, e që mund të na marrë nga kënaqësia që kemi kur shohim një qel të rrahë një vend të tërë.

Regjia vjen nga David Ayer, me të cilin Statham ka bërë The Beekeper, e skenari nga Sylvester Stallone, bazuar në novelën me të njëjtin emër. Pra, i ka të gjitha parakushtet për të qenë një film i mirë aksion, e që del shumë i mirë. Nota personale: 4/5