Sot, më shumë veta e njohin Martin Scorsesen se sa Ellen Burstyn, por gjysmëshekulli më parë, kjo e fundit ishte yll në filma sa artistik aq edhe komercial – The Last Picture Show e The Exorcist.

Ky sukses i kishte dhënë një pushtet aq të madh në kinematografi sa që ajo kishte kërkuar vetë të përzgjidhte regjisorin dhe detaje tjera, ndër më kryesorët përfshirjen e një numri të madh të grave në punën para e pas kamerave në filmin “Alice Doesn’t Live Here Anymore.”

Në këtë film, të bazuar në një këngë me të njëjtin emër prej viteve 1930ta, Alisa ishte një grua e martuar, e cila po përkujdesej për djalin e saj si nënë vetushqyese pas vdekjes tragjike të bashkëshortit.

Një ish-këngëtare, ajo kishte mbetur të shërbente e lante enë, dhe përkundër kësaj pune larg ëndrrës së saj, kostoja financiare e jetës ishte e rënduar, dhe kështu, Alisa vendos të lë gjithçka, dhe të niset në kërkim të një jete ku do të ndiqte pasionin e do t’i siguronte një rehati të birit.

Këtë rrugëtim, Martin Scorsese, të cilin vetë Ellen Burstyn e kishte zgjedhur për regjisor, e sjell për mrekulli, larg filmave të tij të zakonshëm, në film që do t’i jepte edhe më shumë flakë karrierës së tij, e Ellen Burstynit do t’i sillte Oskarin për rolin më të mirë.

Vërtet aktrimi i saj është fenomenal, me një punë të mrekullueshme që bën në një rol përforcues për gruan, sidomos një nënë vetushqyese që rrezikon gjithçka për ëndrrën dhe pasionin e saj.

Filmi do të kishte hapësirë edhe për një aktore të re, të cilën Scorsese do ta angazhonte te njëri prej filmave të tij më të mirë ndonjëherë, Jodie Foster, e cila ndonëse me një rol minimal, do të gjente hapësirë për të shkëlqyer edhe më shumë te “Taxi Driver.”

Nuk duhet të harrojmë aktrimin e Kris Kristofferson, i cili sjell një karakter goxha të mirë për krejt zhvillimin e historisë, me një punë të mirë.

“Alice Doesn’t Live Here Anymore” është një film i Ellen Burstyn, ndihmuar nga Martin Scorsese, që rezulton me një bashkëpunim të përkryer që ndihmon të dytë, dhe jo vetëm. Nota personale: 4/5