Anora (2024)

Anora (2024)

Në epokën e On^yF%ns ku fitojnë më shumë se sa në punë të shtetit në Kosovë, një film me një eskortë/stripere në rolin kryesor sigurisht që do të merrte vëmendjen e opinionit.

Sepse, qysh ia bën moderatori i Logjikonomisë mysafirëve në emisionin e fundit, të gjithë janë “të kalltë,” e sidomos shqiptarët që disi duket se janë më shumë se tjerët. Ndoshta ka ndonjë lidhje biologjike me formën paraardhëse të njeriut, dhe nivelin e zhvillimit!

Anora, ose siç preferon të quhet shkurt Ani është një eskortë/stripere të cilës një natë do t’i hyjë në punë gjuha e gjyshes së saj – rusishtja. Për të dëfryer një klient rus, një djalë lazdran të një oligarku, shefi angazhon Anin, lidhja e së cilës me Ivanin kalon deri në një martesë Vegasi.

Me të dëgjuar këtë “turpërim” kombëtar, prindërit e Ivanit nisen për të prishur martesën, diçka që nuk duket të jetë aq e lehtë për arsye të papritura nga shikuesit.

Filmin mund ta ndajmë në dy pjesë – e para është e mbushur me skena eksplicite që ngjajnë më shumë në diçka që do të mund të shihej vetëm në OF, me nudizëm të plotë, e marrëdhënie që nuk lënë hapësirë për imagjinatë.

Tash, që shkuan një pjesë e lexuesve të kërkojnë filmin, vazhdojmë me pjesën e dytë që i jep formë e kuptim këtij filmi, kur Anora përballet me pasojat që e ndjekin atë pas martesës.

Është një aventurë që shkakton ankth tek të gjitha karakteret, e më së shumti te Anora, e cila përballet me ato që i ka ditur për jetën, ndoshta, por më në fund ka vendosur t’i injoronte.

Nëse e shohim në këtë aspekt filozofik, pa paragjykime, duke u futur thellë në karakterin dhe psikologjinë e njeriut, e në këtë rast të një eskorte/stripere, Anorës, mund të arrijmë në përfundime të frikshme e edhe më shumë të dhimbshme për qenien njerëzore dhe shoqërinë sot.

E veç skena e fundit përmbledh krejt këto dhe në vete është një kryevepër filozofike. Nota personale: 5/5