Kur e përmendim filmin ‘Rreth botës për tetëdhjetë ditë’ sigurisht që mendja menjëherë na shkon tek filmi i vitit 2004 me Steve Coogan e Jackie Chan në rolet kryesore, i cili disi është ‘The Italian Job’ i RTV21.
Gati gjysmë shekulli më parë, dhe 83 vite pas librit të famshëm të Jules Vergne, Michael Anderson kishte marrë guximi të udhëtonte anembanë botës në film.
Me Shirley MacLaine në rolin kryesor përkrahë David Niven e Cantinflas, Anderson vërtetë na shpien në një aventurë anembanë botës në kohën Viktoriane bashkë me Fileas Fogun e Pasepartutin. Është një udhëtim i detajuar në maksimum, për aq sa mund të futet në 150 minuta film. Përgatitja teknike e filmit është në nivel, por lihet në plan të dytë me skenarin i cili arrin të përthekojë më të mirat duke barazuar të gjitha emocionet që mund të na jep një aventurë nga frika deri tek kënaqësia, nga aksioni tek e panjohura, gjithmonë duke u përqendruar të sjellë shumëllojshmërinë e kulturave të ndryshme që vizitohen nëpër këtë film.
Është shumë më i mirë, përkundër disavantazhit teknik që e ka pasur ndaj versionit të vitit 2004. Na afron më shumë me magjinë e librit dhe aventurës, e mbi të gjitha me periudhën në të cilën zhvillohet ngjarja në film.
Ka momente që na duken të gjata, të stërholluara, por nëse i dedikoni kohën e duhur filmit, do të shijoni edhe këto momente, përfshirë edhe minutat e vallëzimit që duket të zgjatet më shumë se që duhet në pikën vendimtare kur mund të hiqni dorë nga shikimi.
Nga shumë momente mbresëlënëse, ajo që do të ju shoqërojë për një kohë të gjatë do të jenë tingujt, e mbi të gjitha Rule Britannia.
‘Around the World in 80 Days’ lihet në pjesën e filmave më inferior që kanë fituar Oskarin për filmin më të mirë, sidomos kur kemi parasysh që ka pasur në konkurrencë legjendën e Cecil B. DeMille, ‘The Ten Commandments’. Por ndjenja e këndshme që të jep filmi, sidomos me harmoninë skenike që kanë dy karakteret kryesore e bën filmin të meritoj Oskarin e atij viti. Nota personale: 4/5

