Ndër teoritë më të frikshme të universit është teoria që jemi të gjithë në simulim, dhe asgjë më mirë se kombinimi i veseve i njohur si OCD nuk dëshmon këtë.

Të gjithë kemi një lloj OCD në vete, kush më pak e kush më shumë, janë si adete, si gjërat e përditshme, dhe i menaxhojmë dikur, e me kalimin e kohës e ngarkesave ditore zbuten.

Pastaj janë njerëzit si Melvini, një shkrimtar i njohur që gjithnjë pastron duart me sapun, përdor letra për të hapur dyert, e as nuk shkelë nëpër të çarat në rrugë.

Ndër veset më të veçanta është që ai gjithmonë ha mëngjes në të njëjtin restorant, në të njëjtën tavolinë, dhe me pirunët e tij. Këtë qejf ia plotëson Karola, e vetmja që toleron sjelljen e tij në restorant.

Hiq më mirë nuk i ka punët as me kojshinë e parë, Simonin, i cili është një artist, por pas një aksidenti, lidhja e tyre fqinjësore ndryshon duke hapur një botë të re të Melvinit, i cili gjen kurajë të dalë nga guaska e tij për të ndihmuar kojshinë e parë.

Jack Nicholson vjen në rolin kryesor me një aktrim fenomenal që si gjithmonë është plot me emocione dhe shpërthime që i përshtaten karakterit të tij mizantrop. Greg Kinnear është kojshia i parë, e Helen Hunt është Karola, e cila ka rolin e karrierës në këtë film, për të cilin me meritë ka fituar Oskar.

Është njëri nga filmat më të mirë që portretizon OCD-në dhe personat që kanë këtë “çrregullim,” në një nivel pak më të përhapur. Njëkohësisht është një film me tri karaktere të portretizuara për mrekulli me një skenar plot dialogësh emocional. Nota personale: 5/5