Në botën e Xhon Uik, është edhe një baba që provon të mbrojë të bijën e tij me çdo kusht – Evën. Në këtë mision, ai humb jetën, duke e lënë Even në duar të pronarit të Kontinentalit të Nju Jorkut, Uinstonit.
Ai e dërgon Evën te Ruska Roma ku ajo takon drejtoren dhe pranohet.
Vitet kalojnë dhe Eva mëson të bëhet një balerinë, dhe në plan të dytë, një vrasëse nën urdhrat e drejtores, në përgatitje për t’u bërë Kikimora.
Pasi kemi një takim të shkurtër të saj me Xhon Uik, nga i cili kërkon udhëzim si të bëhet si ai, fillon karriera e saj, e që në një pjesë duket e parëndësishme.
Kemi një aksion fillestar “shpëtimi” të saj, që nuk më duket aq i rëndësishëm për historinë sa për të treguar aftësitë e saja, dhe ndoshta për t’u lidhur me ngjarjen pasuese!
Pas kësaj, Eva fillon misionin e saj – hakmarrjen për të atin. Në këtë aventurë zbulohen detaje, kemi aksion me të rrahura e qitje, dhe mbi të gjitha një fotografi fenomenale dimërore që përshtatet për mrekulli me filmin.
Ana de Armas është Eva, apo Xhon Uiku femër, Norman Reedus, Gabriel Byrne, e Anjelica Huston vijnë në rolet tjera, pa harruar Ian McShane në rolin e tij të zakonshëm.
Filmi është i mirë, i denjë për universin e Xhon Uik, por jo diçka i “çmendur,” dhe kjo vetëm nëse krahasohet me filmat John Wick. Përndryshe, në vete, është film i mirë, dhe një bazë e bukur për një seri të re filmash, ndonëse rezultatet financiare nuk duken premtuese.
Mendoj që ka shumë hapësirë për filma pasues, dhe do të shihja me kënaqësi vazhdimin e dytë. Përndryshe, Ballerina mbetet një film shumë i mirë, por paksa i gjatë. Nota personale: 4/5

