Revolucioni rumun i vitit 1989 është ndoshta i vetmi i shfaqur në televizion, edhe atë në mënyrën më të pafalshme të mundshme.
Mos e shikoni!
Pesë vite më vonë, ende me plagët e një revolucioni të ashpër, Rumania po provonte të shëronte plagët dhe të gjente rrugën te një shpresë jetese pas viteve të komunizmit mizor.
Në ndeshjen e parë eliminatore pas grupeve, Argjentina, ndër favoritet kryesore për titull, nënkampion aktual atëherë, ndonëse pa Maradonën e përjashtuar, zbriste në fushë si favorite kryesore ndaj Rumanisë.
Ndonëse Maradona mungonte, aty ishte “Maradona i Karpateve,” Gheorghe Hagi i cili ndonëse ishte lideri i skuadrës, kishte në krahë edhe një çetë lojtarësh që do të jepnin gjithçka nga vetja. Ndër ta ishte edhe Dumitrescu, i cili do të shënonte njërin nga golat më të bukur në histori të Kupës së Botës, një gol në stilin e Ronaldinhos, por shumë vite para tij.
Para Hagit, Ilie Dumitrescu, i cili ishte 9shi fals në formacionin 4-6-0 të cilin trajneri Anghel Iordanescu e kishte hedhur për të hutuar argjentinasit, kishte shënuar dy herë.
Më herët, rumunët kishin kontribuar edhe në eliminimin e favoritit tjetër nga Amerika Jugore, Kolumbisë, të cilën do ta demolonin qysh në ndeshjen e parë me dy golat e Raducioiut dhe një gol të Hagit, para se të mposhteshin nga Zvicra. Megjithëkëtë do të kalonin grupin A si të parët pas fitores minimale ndaj SHBA-ve, e cila edhe shty të dyjat drejt fazës eliminatore.
Magjia rumune do të ndalej në çerekfinale ku në penallti Suedia do të kalonte tutje, derisa rumunët do të gjenin një rilindje në futboll, dhe në tërësi si komb.
Ata do të ktheheshin katër vite më vonë, në Francë, me atë frizurën e famshme ku të gjithë kishin lyer flokët me të verdhë, por suksesi i vitit 1994 do të mbetej ende më e mira që ka prodhuar ky vend në futbollin e kombëtareve.

