Të gjithë si fëmijë kemi rastisur kur prindërit, gjyshërit, dadot, a kushdo që na ka treguar përralla gjumi të flenë para nesh duke treguar përrallën e cila veç çka na zgjonte më shumë.
Ende më kujtohet si ujku e bartte dhelprën mbi shpinë sa herë që kjo e tradhtonte kur shkonin në sulm me “i ligi po e ban të shnoshin,” e “Posta e Porositur” e Mark Krasniqit është film në vete, i parealizuar në jetën reale, por shumë i detajuar vizualisht në kujtimet fëmijërore.
Edhe Uilli e ka këtë “problem” – nuk mund të dallojë të vërtetën prej fantazisë, pasi i ati i tij, Eduardi, gjithmonë ka shtuar pjesë fantazie në rrëfimet e së kaluarës së tij duke i ngritur në piedestal edhe më lart me çdo ritregim të tyre.
Për neve si shikues kjo fillon në dasmën e Uillit, ku Eduardi u tregon mysafirëve si ka zënë një peshk në ditën e lindjes së të birit, dhe atë duke përdorur unazën e martesës si karrem për peshkun.
I lodhur nga mbetja në sfond, dhe me idenë që i ati po tregon gënjeshtra, Uilli grindet babanë e tij dhe nuk takohen deri kur vite më vonë merr një lajm nga shtëpia.
Kur takon për herë të parë vjehrrin, tash është radha e Jozefinës për të dëgjuar historitë e Eduardit, nisur nga momenti kur ka takuar gruan e tij/vjehrrën e saj, e që atë ditë bota është ndalur për të.
Janë tregime goxha të këndshme, të ëmbla, dhe të realizuara për mrekulli nga Tim Burton, ashtu si ai di.
Ewan McGregor e Albert Finney tregojnë jetën e Eduardit në periudha të ndryshme kohore, me Billy Crudup si i biri i tij, e Jessica Lange, Alison Lohman, e Marion Cotillard në rolet tjera dytësore. Pjesë në film kanë edhe Danny De Vito, Steve Buscemi, e edhe Miley Cyrus para se të bëhej Hanna Montana.
Është ndër filmat më të mirë romantik, i përzier me fantazi të stilit të Tim Burton, me fotografi magjepsëse, e që krejt këto e bëjnë “Big Fish,” një përrallë filmi. Nota personale: 5/5

