Black Bag (2025)

Black Bag (2025)

Një javë afat ka Xhorxhi, oficer i inteligjencës britanike, të hetojë rrjedhën e një kodit të softuerit sekret të quajtur Severus. Në mesin e pesë të dyshuarve është edhe gruaja e tij, Katrina. Për t’ju afruar më shumë “tradhtarit,” Xhorxhi fton katër të dyshuarit, që janë dy çifte.

Filmi është më shumë se kjo darkë, ndonëse shumëçka ndodh në këtë darkë, në përmasa normale pa ndonjë vepër të çmendur që do të kthehej në një aksion armësh e të ngjashme.

Në rolin kryesor vjen Michael Fassbender bashkë me Cate Blanchett, derisa të dyshuarit tjerë janë emra më pak të njohur si Naomie Harris, e Pierce Brosnan është shefi që jep ultimatumin.

Filmi është i thjeshtë por i përshtatshëm për ngjarjen që nuk zgjatet e as nuk zgjerohet. Janë disa dialogë të shkëlqyeshëm mes karaktereve, që nuk mungojnë në asnjërin prej akteve që ka filmi, fund e krye.

Regjia vjen nga Steven Soderbergh, zgjat rreth 90 minuta, i ka disa skena deri diku intime që bëhen goxha bajat për shkak të antipatisë sime personale ndaj Cate Blanchett, por janë në shërbim të zhvillimit të historisë.

“Black Bag,” është njëri nga filmat më të kompletuar të vitit që nuk zhgënjen ata që presin një mister drithërues në një ambient spiunësh. Nota personale: 4/5