Jungu të prishë!
Me plot kuptimin e fjalës, apo literalisht që po ia bëjnë këta që shqipen e kanë mësuar nga anglishtja!
E filmi Black Swan thellohet në njërën nga shtyllat e punës së Jungut, dualizmin që ka secili njeri në vete.
Këtu, Natalie Portman në rolin kryesor vjen si një balerinë, Nina Sajers, e cila jeton nën kujdesin dhe udhëheqjen, më saktë diktaturën e nënës së saj, Erikës, e cila gjithashtu ka qenë balerinë.
Rasti i jetës kur ajo përzgjidhet të jetë balerina kryesore në Liqenin e Mjellmave, por ajo duhet të luajë të dy rolet, të pafajshmen, mjellmën e bardhë, dhe manipuluesen, mjellmën e zezë.
Nina, është e përkryer për rolin e të bardhës, por regjisori e shtyn të gjejë edhe atë inspirimin brenda saj për të qenë edhe mjellma e zezë. Në kërkim të kësaj, Nina duhet të përballet sa me rivalet në botën e jashtme, sa me botën e saj të brendshme, duke e bërë këtë detyrë të saj një mision jungian në kërkim të vetvetes, dhe me të gjitha pasojat për të cilat na paralajmëron Jungu në veprat e tij.
Aktrimi i Natalie Portman është për libra të historisë, fenomenal, në çdo pikë, sidomos në aspektin fizik ku kërkohet një transformim thelbësor në figurën e saj, pa harruar edhe krejt zullumet që i ndjekin balerinat në jetën reale.
Ndërkohë, pjesa teknike, në regji të Darren Aronofskyt është fenomenale, sidomos me përdorimin e zërit dhe ngjyrave, të cilat prekin karakterin e Ninës në film, dhe shërbejnë si sinjalizuese për kalimet nga njëra në tjetrën mjellmë.
Është film i rëndë psiqikisht, nëse fillon të thellohesh në temën dhe psikiken e karakterit kryesor, por mund të jetë edhe një film i rëndë pa u thelluar psikikisht, duke u përqendruar vetëm në aspektin fizik të një balerine që provon të jetë në krye të një detyrë që të ik trurin.
Në të dyja versionet që preferoni ta shikoni filmin, Natalie Portman është e përkryer, edhe në dy versionet e Ninës. Nota personale: 5/5

