Bloodsport (1988)

Bloodsport (1988)

Filmi më i mirë në karrierën e Jean-Claude Van Damme, padyshim.

Nejse, njëri nga filmat më të mirë të tij dhe vetë nën-zhanrit të filmave për artet marciale.

Ndikimi i tij është gjigant, jo vetëm në kinematografinë, por edhe krejt botën e arteve marciale, duke inspiruar sa filma të tjerë, edhe më shumë interesim në këto sporte, videolojëra të njohura, e rrjedhimisht edhe gara të sporteve ekstreme të rrahjes.

Sigurisht që filmin e bën më mbresëlënës fakti që përmendet se bazohet në historinë e vërtetë të Frank Duksit, i cili është një kapiten në armatën amerikane, i cili ka ushtruar artet marciale nga fëmijëria, dhe ftohet në një garë sekrete, të rrezikshme, që zhvillohet në Hong Kong – Kumite.

Për të qenë pjesëmarrës në këtë, ai ikën nga ushtria, e cila i vihet pas derisa provojnë ta gjejnë në nëntokën e Hong Kongut.

Historia është mirë e shtruar, por gjithçka mbetet në plan të dytë falë aktrimit fenomenal, madhështor të Jean-Claude Van Damme, i cili vjen në rolin e Frankut.

Van Damme ka disa nga skenat më legjendare në film, dhe në sport, nga stërvitjet, te luftërat në ring, nga “çarja” e këmbëve, deri te shqelmat në kokën e kundërshtarëve, e fluturimet e tija.

Bloodsport është film që definon një dekadë të tërë të filmave të një zhanri të tërë. Është më shumë se film. Nostalgji! Nota personale: 5/5