Inspiruar nga Dekameroni, emrin e autorit të së cilit në titullin e këtij filmi, “Boccaccio ‘70” sikur provon të kthejë satirën e asaj periudhe, por në Italinë moderne, dhe atë në katër “filma” prej regjisorëve dhe aktorëve më të mirë italian të asaj kohe.
Filmi është i gjatë, antologji, i ndarë në katër histori të ndryshme, dhe asnjëra nuk është më e mirë se e para, e cila kryesisht për shkak të kohëzgjatjes shpesh është “prerë” nga filmi.
Pjesa e parë sjell historinë e Renzos dhe Lusianës, dy kolegë në një fabrikë, të cilët duhet të fshehin dashurinë, dhe shtatzëninë për shkak të ndalesave për gratë e martuara dhe nënat të punojnë në fabrikë. Jo vetëm puna, por edhe kushtet e rënda familjare vështirësojnë dashurinë e tyre, por kur të piqen kushtet…
Në të dytën, nga Fellini, Doktor Antonio është një mbrojtës i moralit i cili kapet për çdo akt minimal që i duket i pamoralshëm, nga shprehja publike e dashurisë, deri te nudizmi në media. Lufta e tij vështirësohet kur Anita Ekberg vjen në formën e një afisheje gjigante në një park fëmijësh të cilët kërkon t’i inspirojë të pinë qumësht!
I treti sjell një çift, ku burri pasi është kapur me prostituta, detyrohet nga gruaja e tij të paguajë edhe për atë për “dashurinë” të cilën po e paguante edhe tjetërkund.
Dhe e fundit, e katërta, nën regji të Vittorio De Sica, është një lotari ilegale me Sophia Lorenin në rolin e shpërblimit kryesor për fatlumin numri i të cilit do të qëllojë në lojën shpërblyese të karnavalit.
Secili akt, ta quaj kështu, ka në vete një histori tejet bukur të shtjelluar, që të kënaqë ta shikosh, me një përfundim edhe më të mirë, duke kombinuar satirën, komedinë, dhe filozofinë morale, e sfiduar tash në një botë moderne që kërkon të ndryshojë, përkundër pengesave në të cilat has.
E vetmja anë negative është kohëzgjatja, gati tri orë e gjysmë, por nëse e shikojmë një nga një çdo pjesë, atëherë del të jetë një mini-seri goxha e mirë.
Pos temave dhe shkrimit fantastik, gjithë ato yjet e kinemasë italiane e bëjnë këtë njërin ndër filmat më të mirë që ka dal nga Apeninet. Nota personale: 5/5

