Sigurisht, ne nuk mund të flasim në favor të këtij filmi përderisa nuk veçojmë historinë tonë të fundit karshi luftërave simotra në sytë e popullit amerikan.

Por, mund të personalizojmë këtë histori shumë mirë kur kujtojmë të gjithë ata që në luftën tonë kanë humbur gjërat më të vlefshme, shqisat, gjymtyrët, e edhe më të vlefshmen, jetën.

Dhe në fund, kanë mbetur asgjë më shumë se lehtësues të korrupsionit, kalbjes shoqërore që i është bërë këtij vendi nga ata që kanë qenë më me fat, dhe kanë shfrytëzuar kontributin e tyre për të ngopur barkun dhe llogaritë bankare.

Ngjashëm ndihet edhe Ron Kovic, i cili pas diplomimit nga gjimnazi regjistrohet në marinën amerikane me qëllim që të luftojë komunizmin në rritje anembanë botës, e në rastin e tij, në Vietnam.

Kjo pjesë e filmit zgjat pothuajse sa gjysma, me Ronin që përballet me tmerret e luftës, ashtu siç di t’i portretizojë Tom Cruise, edhe nëse në zanafillën e karrierës së tij, nën regjinë e të famshmit Oliver Stone.

Lufta vjen me të gjithë të këqijat!

Në mesin e tyre, edhe gjymtyrët e Ronit, i cili mbetet i paralizuar, dhe fillon periudhën pas-luftës ende me idealin që ka luftuar për të mirën e një populli.

Por, kjo nuk do të vonojë shumë, dhe ai fillon të dyshojë gjithçka që ka menduar, ka besuar, dhe ka luftuar në jetë.

Pos regjisë, Oliver Stone bën edhe skenarin, bashkë me Ron Kovicin, në historinë e të cilit bazohet ky film, e që është një përshkrim komplet, sidomos në pjesën e parë të filmit, në detaje, i shpërndarë për të shtyrë të përjetosh ato që përjeton karakteri kryesor në film.

Kjo punë e Stone shpërblehet për regjinë më të mirë të atij viti, por nuk mund të lëmë mënjanë edhe aktrimi ne Tom Cruise, i cili ndonëse është larg majës së karrierës së tij, sjell atë sharmin që ka, në periudha dhe momente të ndryshe të karakterit të tij në film.

Është njëri ndër filmat më të mirë kundër luftës, goxha i rëndë, brutal për t’u shikuar, por ashtu është edhe lufta, e edhe më e keqe në jetën reale. Nota personale: 4/5