Breakfast at Tiffanys (1961)

Breakfast at Tiffanys (1961)

Ky është filmi që e ngriti Audrey Hepburn në një ikonë të kinematografisë, dhe feminizmit në përgjithësi, falë një paraqitjeje të përkryer të Hollit, një vajzë që duket magjepsëse, përrallore, borgjeze, e pavarur, e fortë, dhe njëkohësisht e butë, e lëndueshme, e thjeshtë, dhe prapë magjepsëse.

Në krejt këtë përzierje, Audrey provon të japë një karakter që provon të shtypë një pjesë të shpirtit të saj romantik karshi jetës së glamurit dhe luksit, duke shtyrë këtë komedi-romantike në atë që unë urrej më së shumti në filma – glorifikimin e konsumerizmit dhe kapitalizmit.

Megjithatë, këtu kemi edhe një pjesë që në mënyrë ndoshta të tërthortë thumbon këtë qasje ndaj jetës, ndonëse gjithçka mbetet në plan të dytë të romancës ndërmjet Hollit dhe Pollit, e që nuk duket të jetë një romancë nga filmat e thjeshtë të asaj periudhe, e as ata që do të pasonin me vite.

Filmi është i bazuar në novelën e Truman Capotes, vjen në regji të Blake Edwards, e më e mira e krejt filmit duhet të jetë muzika e Henry Mancinit, sidomos “Moon River,” që është ndër këngët më të mira romantike në film.

Audrey Hepburn është e përkryer në rolin e saj, George Peppard ndihmon në shtjellimin e karakterit të Hollit, e Patricia Neal, Buddy Epsen, e Mickey Rooney vijnë në rolet dytësore.

Për fansat e Audrey Hepburn është film madhështor. Nota personale: 3/5