Broken Arrow (1950)

Broken Arrow (1950)

E di që jam bërë bajat duke thënë se çdo film i James Stewart “mund të jetë filmi më i mirë i tij,” por ky është përfundimisht filmi më i veçantë për të, dhe arsyeja është shumë e thjeshtë.

Te Broken Arrow, në vend që të luftojë indianët, Stewart në rolin e Tom Xhefords luan rolin e ndërmjetësit për të pajtuar të ardhurit dhe Apaçët në territorin e Arizonës. Në këtë mision, që nuk ka ndonjë përfitim për atë, Tomi kërkon të afrojë dy anë armike, të cilat nuk i besojnë njëra-tjetrës, e edhe më pak Tomit.

Për të bindur palët për një pajtim eventual, Tomi duhet të dëshmojë se nuk është “aleat” i asnjërës palë, dhe mbi të gjitha të ruajë integritetin ndaj atyre që duan të prishin një marrëveshje eventuale ndërmjet palëve, të cilët provojnë t’i rrënojnë reputacionin e tij me përgojime të ndryshme.

Në krejt këtë mesele nuk është se ka vetëm vajtje-ardhje, negociata, komunikim, sa ka edhe aksion klasik uestern.

Mund të duket pak a shumë si konflikti aktual në Lindjen e Mesme, për Hormuzin, veçse këta nuk kanë Tomin.

James Stewart është fantastik në rolin e tij duke lënë enigmatik edhe shikuesin në shumicën e rasteve, dhe mbi të gjitha vepron si një individ në mision të çmendur. Jeff Chandler është në rolin e karakterit të Koçisës, njëri ndër karakteret më të mira në film për indianët amerikanë, e në rolet tjera janë Debra Paget, Basil Ruysdael, e Will Greer.

Regjia vjen nga Delmer Daves, e filmi ka qenë i nominuar për tri çmime Oskar – skenarin, aktrimin e Chandler, dhe kuptohet, si çdo film uestern i kësaj dekade, për kinematografi.

James Stewart në një mision krejt ndryshe në njërin nga filmat më të nënvlerësuar të tij të zhanrit uestern. Nota personale: 5/5