Gjërat e thjeshta shpeshherë komplikohen pa nevojë.
Dhe kur këto bëhen me skenar e regji të vëllezërve Joel e Ethan Coen, atëherë shtjellohen aq mrekullueshëm sa që bëhen filma goxha të mirë, argëtues, që nuk të lënë të kotesh duke i shikuar, pavarësisht sa përzihen punët.
Historia fillon me Koksin, një analist pijanec që punon në CIA, të cilin ky ves i ka shkaktuar probleme dhe ka lënë punën. Për t’ju hakmarrë punëdhënësit, Koksi vendosë të shkruajë një memoar me sekrete në lidhje me punën e tij.
Kur gruaja e tij, Kejti, mëson për planin e Koksit, ajo vendos të ndahet, pasi tashmë ka një aferë, dhe mendon të shfrytëzojë këto sekrete duke i marr me një disk.
Diskun ajo e harron në fitnesin e lagjes ku e gjejnë dy punëtorë, secili me plan të vetë për t’u pasuruar.
Gjërat shkojnë e komplikohen edhe më shumë, përfshihen karaktere tjera, situata bëhet e tensionuar, duke kaluar matanë një shantazhi e zhvatjeje të thjeshtë deri te sekrete shtetërore e komplikime të pamerituara për karakteret.
Filmi është si gjithmonë në stilin e Koenëve, një komedi e errët, me momente goxha komike, të nxitura nga aktrimi fenomenal i aktorëve në rolet kryesore, sidomos Brad Pittit i cili i ka disa skena legjendare, të denja për meme.
Derisa Pitt është njëri nga punëtorët në fitnes, bashkë me Frances McDormand, John Malkovich është Koksi, Tilda Swinton gruaja e tij, e George Clooney dashnori i saj. Pra, një kast emrash të mëdhenj, të cilët shkëlqejnë në rolet që ishin shkruar pikërisht për ta, gjatë kohës kur Coenët po bënin skenarin e “No Country for Old Men.”
Është njëri ndër filmat më të nënvlerësuar, më të veçantë, por që nuk bën të lëshohet sidomos nga fansat e Coenëve. Nota personale: 4/5

