Të 70tat në kinematografi i kam si dekadën më të dobët në këtë formë të argëtimit, edhe pas të 60tave. Janë disa tituj të mirë, por pjesa më e madhe janë të ndikuar së tepërmi nga fryma politike e asaj kohe.
Pak a shumë si dekada e kaluar e ndikuar nga temat e korrektësisë politike, e që ende vazhdon në disa mediume.
Te “Cabaret,” që vlerësohet si kryevepra e Liza Minellit, ngjarja zhvillohet në Berlinin e vitit 1931, me Republikën e Uajmarit pranë shthurjes me ardhjen e rendit të ri politik. Aty, në klubin Kit Kat Klub, këndon një amerikane, Selli, e cila kur takon Brajanin, një student i Kembrixhit që vjen në Berlin për të përfunduar studimet, për të cilat paguan duke dhënë mësime anglishteje, fillon të kënaqet me praninë e tij.
Së bashku, ata do të njoftohen me Berlinin e asaj kohe, me të gjitha të mirat e të këqijat, krejt këto gjersa është një zymtësi që i rrethon ata dhe lokalët duke ndikuar në mënyra të ndryshme në jetën e atyre që frymojnë në kryeqendrën gjermane.
Liza Minelli është fantastike, Michael York e Joel Grey ndihmojnë në rolet kryesore, e Bob Fosse është në regji dhe koreografi.
Filmi është muzikal, kabare, por në përgjithësi mbete i errët, i mbylltë, i zymtë, depresiv. Këtij drejtimi nuk i ndihmojnë as tema dhe ndodhitë që prekin karakteret kryesore. Është film i rëndë, jo aq vizualisht sa ka atmosferën dhe ngjyrën e mërzitshme, depresive.
“Cabaret” ndoshta më së miri pasqyron depresion – gjithçka duket e zymtë, e errët, ndonëse nuk shihet diçka që nxit këtë zymtësi. Ndoshta edhe kjo është arsyeja pse nuk më ka pëlqyer fare, dhe përfundimi i tij ka qenë sfidë në vete. Nota personale: 2/5

