Brik Pollit, një sportist i suksesshëm gjimnazi, kur thyen këmbën në kërkim të ditëve të tija të lavdisë, i kthehet me të madhe alkoolit.
I martuar me Megin tash e sa kohë, të dy janë pa fëmijë, gjersa vëllai i tij, Kupër ka pesë fëmijë me Menë.
Të nesërmen, për vizitë vjen Harvi, “baba i madh,” i cili do të festojë ditëlindjen e tij të 65të, duke qartësuar se kujt do t’i mbetet e gjithë pasuria e madhe që ai zotëron në Misisipi.
Djalit të tij pijanec, pa pasardhës, i martuar me të bukurën Megi, e cila provon ta shfrytëzojë këtë që të bindë vjehrrin se meriton një copë të pasurisë së tij; apo djalit tjetër, i “rehatuar” me jetë familjare shembullore për të cilën do të ishte krenar çdo baba.
Bazuar nga një shfaqje teatrale, ky film përqendrohet në dialogët dhe marrëdhëniet që kanë karakteret kryesore mes vete, sidomos lidhja e djalit pijanec, Brikut me të atin e tij, një lidhje e thyer shumë kohë më parë, si shumica e lidhjeve baba-bir.
Skenari, këta dialogë, janë shtylla kryesore e këtij filmi duke e bërë një vepër artistike me aktrim fenomenal të yjeve si Paul Newman, Elizabeth Taylor, e edhe Burl Ives, të cilët për mrekulli mishërohen në karakteret e tyre duke përçuar një komunikim origjinal të babait të zhgënjyer me të birin, i cili nuk ndihet hiq më mirë ndaj të atit.
Edhe sot, pas më shumë se gjysmë-shekulli, filmi mbetet në tre më të suksesshmit të MGM, dhe mund të jetë një argëtim i mirë për ata që i duan dialogët me dramë familjare të periudhës së artë të Hollivudit. Nota personale: 4/5

