Para se të fillosh të shikosh një film, duhet të kesh disa informata themelore – ngjarjen, zhanrin, emrat kryesorë para e pas kamerës.
Kur e sheh Luca Guadagninon në rolin e regjisorit e di që filmi në një mënyrë a tjetër do të tentojë të shkojë në ekstreme të ndryshme që jo medoemos kanë lidhje me ngjarjen. Është adet i Guadagninos, edhe kur vendosim ta shohim ndonjë produkt të tij, atëherë s’mund të ankohemi.
“Challengers” sjellë një trinom që ka evoluuar në një sfidë dhe ftohtësi ndërmjet tri karaktereve që ndërlidhen me botën e tenisit.
Tashi, Zendaya, është një teniste e cila tash është kthyer në trajnere të burrit të saj kampion. Por, burri i saj nuk po kalon kohët më të mira në karrierë, dhe drejt rimëkëmbjes duhet të ndeshet me ish-shokun më të mirë, i cili gjithashtu ka një histori me Tashin.
Mike Faist e Josh O’Connor vijnë në dy rolet tjera të Artit dhe Patrikut, lidhja e të cilëve mes vete dhe Tashit shkon shumë vite më parë, e vjen para nesh në detaje.
Aktrimi është në nivel, edhe realizimi teknik, por ajo çfarë më ka bezdisur ka qenë shkapërderdhja e rrëfimit duke u humbur në rrugë nga të qenit një romancë, erotikë, sport, dramë.
Më ka dhënë ndjenjën që Guadagnino dëshiron të përfshijë shumëçka e këtu humb balanca e filmit duke mbetur një film mediokër në fund, që nuk ngop as fansat e tenisit e as të romancave, pos ndoshta fansat e Zendayës. Nota personale: 2/5

