Të gjithë e dimë pse Sydney Sweeney merr popullaritetin që e ka. Edhe është normale të vlerësohet për ato që ka, e që nuk i mungon as talenti, dhe këtë e kemi vërejtur më së miri te disa skena në “Euphoria,” nëse jo diku tjetër.
Te ky film, ku ajo sjell njërën nga boksieret më të suksesshme të viteve 1990ta, sipas përshkrimit zyrtar sepse nuk kam lidhje me boks, Christy Martin, ideja duket të ketë qenë shëmtimi sa më i madh i Sweeney me nijetin që të dalë në pah talenti i saj i vërtetë.
Dhe ky talent del në pah, por nuk del si duhet.
Pos shëmtimit të karakterit, skenaristët provojnë ta rëndojnë e dhunojnë fizikisht e emocionalisht karakterin kryesor, sigurisht me qëllimin për të krijuar një narrativë më të afërt për shikuesin në pjesën e tretë të filmit, por disi mbetet i humbur.
Nuk është një zhvillimi i mirë i historisë, një shpërndarje e mirë – humbim kohë në disa momente të panevojshme, disa tjera ecin shpejt, dhe në fund provohet të përmbyllet historia, deri diku me sukses.
Përkrah Sydney Sweeney, e cila pretendonte të përzihej me këtë rol në sezonin e shpërblimeve kinematografike vijnë persona anonim për mua, prandaj as emrat s’do të lodhem t’ua përmend. Regjia dhe skenari vijnë nga David Michod, i njohur për filma që më shumë kanë bërë zhurmë se që kanë korrur sukses më parë – The King, Animal Kingdom, e The Rover.
Film i nisur me nijet për t’i sjell nominimin për Oskar Sydney Sweeney, duke e shëmtuar atë e rënduar karakterin e saj, me historinë e aktorët tjerë në plan të dytë, për të përfunduar i kotë. Nota personale: 2/5

