Shoqëria mbahet për një fije peri, dhe sa më shumë e më me nxitim që tërhiqet nga njëri fund, rrezikon të këputet. Dhe kur këputet, atëherë rrezikojmë katrahurën e një shoqërie!
Kjo ka kthyer Amerikën në një të ardhme të afërt drejt një lufte civile, e cila në këtë film përshkruhet nga sytë e dy fotografeve të luftës.
Së fundmi, nëpër mediat tona ka pasur një numër i rritur i intervistave dhe rrëfimeve të fotografëve e kameramanëve të luftës së fundit në Kosovë, dhe rrëfimet e tyre janë sa drithëruese aq edhe ndriçuese për një periudhë ku qarkullimi i informatave ka qenë sa i kufizuar aq edhe i devijuar!
Ky film disi është një lloj vlerësimi për punën e pashoqe që bëjnë fotografët e luftës, dhe të konflikteve, siç i kemi Llinë dhe Xhesinë në këtë film. Ato takohen gjatë një shpërthimi në kohën kur forcat rebele kanë filluar marshimin drejt Shtëpisë së Bardhë për të zënë presidentin, i cili në këtë film portretizohet nga Nick Offerman.
Për të arritur te presidenti, për një intervistë ekskluzive, niset edhe Lli (Kirsten Dunst), por e cila ngujohet me Xhesinë, (Cailee Spaeny, e njohni ndoshta për Priscillan). Xhesi është fotografe amatore dhe fanse e punës së Llisë, një fotografe e famshme.
Rrugës për në DC, ato shoqërohen nga Xhoel e Semi, derisa kalojnë nëpër zona rebele të cilët tash janë vetë ligji, që ia bëjnë në popull, “vetë shqyejnë, vetë qepin,”
Filmi është në regji dhe me skenar të Alex Garland, i njohur për Annihilation dhe ndër filmat e mi të preferuar – Ex Machina. Ishte kjo arsyeja pse vendosa të shikoja këtë film, i cili jep atë që premton, duke lavdëruar punën e fotografëve, sidomos me disa fotografi madhështore që kapen gjatë ngjarjeve në film.
Prapë, mbetet paksa ‘i zbrazët’ në disa pjesë që duken sa të panevojshme, aq edhe të papërshtatshme me rrëfimin. Nota personale: 3/5

