Cleaner (2025)

Cleaner (2025)

Kur sheh një film aksion nga Martin Campbell ke pritje të mëdha. Kur kësaj i shton edhe Daisy Ridley në rolin kryesor, dhe një tematikë pak a shumë të veçantë, pritjet edhe më shumë rriten.

Kur shikon filmin, zhgënjehesh!

“Cleaner” nuk është film i keq, por qysh në fillim më vendos në anën e atyre që duhet të jenë të “këqij” në këtë histori.

Të këqijtë janë një grup i personave të armatosur që “prishin” një gala mbrëmje të krerëve të firmave të ndryshme që po dëmtojnë ambientin dhe njerëzimin. Dhe falë planit të detajuar, këta mbyllin ndërtesën dhe çdo intervenim të mundshëm, duke kryer “operacionin” e tyre në heshtje.

Por, këtu ndërhyn karakteri i Ridley, Xhoana, e cila është një luftëtare e pensionuar që tash pastron dritaret e ndërtesave derisa kujdeset për vëllain e saj me autizëm.

I mbetet Xhoanës që të shpëtojë mysafirët dhe personat që në mënyrë “paqësore” shkatërrojnë jetën e planetit dhe njerëzimit.

Pasi ngjarja ndodh në një banesë, dikujt mund t’i duket si “Die Hard,” po historia ka shumë shkëputje për mua, prej moralit të saj.

Pjesa teknike e aksionit është e mirë, falë regjisorit dhe aktores në rolin kryesor. Kjo nuk e bën “Cleaner” më shumë se një film mesatar. Nota personale: 3/5