Cleopatra (1934)

Cleopatra (1934)

Secili film e ka kohën e vet, e edhe ky version i “Cleopatrës,” i dyti nga Cecil B. DeMille e ka pasur kohën e tij, dhe atëherë, në kohën e shfaqjes ka qenë më i shikuari në Amerikë.

Por, sot, pas gjithë adaptimeve filmike e televizive për mbretëreshën e njohur të Egjiptit antik, ky film mbetet shumë mbrapa, dhe mund të shërbejë vetëm si një njësi krahasimi me filmat tjerë, apo për të shijuar Hollywoodin klasik në vitet e para të zërimit.

Historia fillon në vitin 48 p.e.k. me Kleopatrën dhe Ptolemeun që shtyhen cili të marrë sundimin e Egjiptit me ardhjen e pushtuesve romakë, të dy duke bërë planet e tyre kundër njëri-tjetrit e edhe më shumë për të joshur Cezarin.

Njëra ndër anët më të forta të këtij filmi është aktrimi madhështor i Claudette Colbert, e cila jep njërin nga portretizimet më të mira të Kleopatrës në ekran. Në të mund të shohim vendosmëri, guxim, e forcë për të marrë atë që dëshiron, që mendon se i takon.

Arsyeja tjetër është produksioni gjigant, si zakonisht në filmat e DeMille, që e bën filmin goxha epik. Por, kjo njëkohësisht mbetet e pashfrytëzuar në sasinë e duhur pasi filmi është shumë i shkurtër për të përfshirë krejt historinë që trajtohet.

Filmi ka shumë kërcime nëpër temë, nëpër ngjarje, dhe duket sikur një përmbledhje e historisë për pjesën më të madhe, dhe pastaj kemi disa akte që marrin më shumë kohë në krahasim me tjerat që duken të përshpejtuara.

Sot, ky versioni i “Cleopatra” mbetet vetëm për të krahasuar me versionet tjera, për fansat e historisë së Egjiptit të lashtë, dhe fansat e DeMille, pasi që ata të Claudette Colbert sigurisht e kanë parë moti kohë.

Për gjithçka tjetër, është vetëm mesatar. Nota personale: 3/5